
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, deputeti i Partisë Demokratike dhe drejtues politik i qarkut Dibër, Xhelal Mziu, ka bërë një denoncim të fortë përmes rrjeteve sociale, duke akuzuar për blerje votash dhe dhunë ndaj qytetarëve në fshatin Radovesh të Gollobordës.
Sipas Mziut, punonjësi i policisë bashkiake në Bulqizë, Ndriçim Sula, është kapur në flagrancë duke shpërndarë para në këmbim të votave. Ai ka publikuar video që, sipas tij, dokumentojnë këtë veprimtari të paligjshme. Mziu shton se dy qytetarë që po ndiqnin këtë aktivitet janë dhunuar nga punonjësi i policisë bashkiake dhe mbështetës të Partisë Socialiste.
“Rilindja në terren me administratën dhe grupet kriminale duke shpërndarë para në këmbim të votës! Janë dhunuar dy qytetarë që po i ndiqnin, nga punonjësi i policisë bashkiake dhe mbështetës të rilindjes së krimit. Kjo është skenë krimi. Ky është krim elektoral. Ky është krim zgjedhor,” shkruan Mziu në postimin e tij.
Deputeti demokrat i bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe rendit që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur këto veprime të paligjshme. “Policia e shtetit, sistemi i drejtësisë, SPAK duhet të reagojnë, nuk mundet që bandat e krimit të përcaktojnë votën e qytetarëve,” përfundon ai.
Ky denoncim vjen në një moment kritik, kur vendi ndodhet në heshtje zgjedhore dhe qytetarët pritet të votojnë nesër për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Autoritetet ende nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave.
Lini një Përgjigje