
Pavarësisht “konflikteve” të reja që nisën sot brenda PD-së, ish-kreu i të djathtës, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët në Gjirokastër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet brenda partisë.
Në një postim në Facebook, Basha u shpreh se qytetarëve duhet t’u kthehet pushteti dhe se nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveç pastrimit të politikës nga ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve.
Edhe në këtë takim Basha theksoi se Listat e hapura, vetingu i politikanëve, vota e diasporës dhe kufizimi i mandateve janë prioriteti i tij me ardhjen në krye të PD-së.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!
Për kthimin e besimit tek politika është e rëndësishme ndarja e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar nga politikanët e pastër dhe kjo mundësohet përmes vetting-ut.
Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste.
Mjafton dosja e Inceneratorëve për të kuptuar se si kjo qeveri vepron si një organizatë e strukturuar kriminale. Në kulmi e emigrimit qeveria shqetësohet për t’u shërbyer bandave kriminale duke legalizuar kanabisin, apo duke u vrarë shpresat studentëve me ligje anti-kushtetuese.
Prandaj bëhet gjithnjë e më e domosdoshme rritja e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.
Për këtë arsye:
Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;
Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;
Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;
Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:
Listat e hapura;
Vetting-un e politikanëve;
Votën e diasporës;
Kufizimin e mandateteve.
Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë të njëjtat vlera me ne, për të ndërtuar së bashku alternativën që duan dhe presin shqiptarët”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje