
Andi Bushati ka komentuar dakordësinë e arritur në fillim të javës mes mazhorancës socialiste dhe grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të ngritur dy komisione hetimore në këmbim të kaosit në Kuvend. Bushati tha se kjo nuk mund të lexohet si fitore e Rithemelimit.
“Këta Bashën e kanë mundur, por kanë mundur një kalë të ngordhur që nuk i duhet kujt asgjë. Të negociosh të drejtat e opozitarizmit për të mundur një kalë të ngordhur është përpjekje minimale”, tha ai në “MCN”.
Sipas tij, nuk ka ngjashmëri mes kësaj marrëveshjeje dhe asaj mes Ramës dhe Berishës në vitin 2008.
“Absolutisht jo, me përjashtim të emrave. Emrat që vendosin janë të njëjtët. Marrëveshjet janë totalisht të ndryshme. Kam qenë kundër marrëveshjes së 2008. Marrëveshja Rama-Berisha shkatërroi edhe atë pak demokraci që kishte mbetur në vend. Marrëveshja pavarësisht se keq solli ndryshime themelore. Ishte Rama në opozitë dhe Berisha në pushtet, por negociuan si të barabartë. Nuk mund të krahasohet 2008 me të sotmen. Kjo është një marrëveshje rutinë që harrohet pas 6 muajsh”, tha ai.
Bushati shtoi më tej se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka për qëllim vetëm qetësimin e opozitës.
“Mua më duket qesharake kur ndërkombëtarët i marrim si faktor, duhet t’i shohim si ndihmues të autokracisë. Ata janë me Ramën. Kush është qëllimi i ndërkombëtarëve? Nuk është të kemi një parlament demokratik, por të kenë një kope opozitare që të sillet urtë.
Ndërkombëtarët janë të kënaqur që opozita qetësohet. Nëse këtë e quajnë detyrim të Ramës nga ndërkombëtarët, Rama do të ishte njeriu më i lumtur në botë ta detyronin vazhdimisht kështu. Opozita ka marrë atë që i kanë dhënë. Është gjendur në kurthin midis dy të këqijave. Ato të cilave Ramës i prishin realisht punë, Rama nuk ia jep. Opozita thotë Edi Rama ka shpenzuar miliona euro me avionin e tij privat. Rama thotë këtë nuk dua t’ua jap. Ç’duhet të bëjë opozita? Të dorëzohet! Opozita nuk i ka lënë me dëshirë, duke thënë më mirë pak thërrime se asgjë”, u shpreh gazetari.
Lini një Përgjigje