
Ish-kryeministri Sali Berisha është alarmuar nga thirrja e djalit të tij, Shkëlzenit në SPAK për të dëshmuar në lidhje me dosjen e Gërdecit për ish-ministrin Fatmir Mediu.
Berisha e cilësoi SPAK-un si një institucion të papërgjegjshëm, që nuk e ka kryer si duhet misionin e tij.
Sipas tij në SPAK ka njerëz që kanë marrë 200 mijë euro për të liruar vrasësit.
Nga ana tjetër Berisha tha se nuk mund të ketë asnjë hezitim apo pengesë për asnjë hetim të drejtësisë, pavarësisht deklaratave të tij në vijimësi për SPAK.
Ai shtoi se edhe nëse “hetojnë për 100 vite” aty nuk do gjejnë asnjë lidhje me rastin.
“Në çdo kohë, cilindo. Unë e kam bërë të qartë që s’mund të ketë kurrë hezitim apo pengesë për çdo lloj hetimi. Nëse mbaj qëndrime dhe denoncime ato i bëj për interesin publik, jo për qëllime të tjera. Edhe 100 vite po të hetojnë aty nuk do gjejnë asnjë gjë. Jam mbështetës i zbatimit të ligjit. Por siç e dini aty ka kriminelë. Aty ka njerëz që kanë marrë 200 mijë euro dhe kanë liruar vrasësit. A mund të falet Ilir Beqaj? Si mund të falet. Aty ku ka rrjedhje aty ka bashkëpunim me krimin."-tha Berisha për mediat.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi sot Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit të marrë në pyetje Shkëlzen Berishën si dëshmitar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008.
Prokuroria paraqiti kërkesën për gjykim si dhe listën me 71 dëshmitarë, të cilët ajo kërkon të thërrasë në gjyq si dëshmitarë dhe kërkesën për provat shkresore që i vë në dispozicion.
Gjithashtu është thirrur të dëshmojë edhe ish ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës. Kjo është dëshmia që tregon se kush interesohej për atë biznes.
Dëshmia mbështetet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit, Anjola Agolli, dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka percjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Roli i dëshmitarëve
Sipas Kodit Penal, personat që thirren si dëshmitarë në gjykatë kanë detyrimin të tregojnë gjithçka dinë në mënyrë të vërtetë, në të kundër rrezikojnë dënimin nga gjobë deri në dy vjet burg. Ndërkaq, refuzimi për të dëshmuar dënohet deri në një vit heqje lirie. Avokatët kanë kërkuar edhe kryerjen e një ri-ekspertimi mbi shkakun e shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, duke aluduar se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një akti të qëllimshëm. Pas rihapjes së hetimeve, SPAK e ka akuzuar Fatmir Mediun për shpërdorim detyre në dosjen Gërdeci e cila u dërgua për gjykim në shkurt të këtij viti. Procesi u shty për 7 muaj për shkak të kërkesave proceduriale nga avokatët e ish-ministrit dhe përfaqësuesit e viktimave.
Tragjedia e Gërdecit
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.
Lini një Përgjigje