E vërteta e emërimit të Igli Hasanit në krye të ministrisë së Jashtme, dhe si Igli e mori vesh se u bë minister nga televizioni…
Rastin e kryesimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Edi Rama e përvetësoi më së miri, pasi me thënë të drejtën, e ka aftësinë ta kërkojë qendrën e vëmendjes edhe kur mundësitë janë të pakta, jo më një rast të rëndësishëm siç qe debati i Ukrainës.
Kryesimi nga ai vetë, i mbledhjes së mbrëmshme, nuk mendohej se do i lihej në dorë një tjetri, edhe pse shumica e folësve në panel nuk ishin homologë. Megjithatë kishte mjaft të tillë, si kancelari gjerman Olaf Shcols, apo udhëheqës të tjerë të lartë si presidenti polak, ai estonez etj.
Megjithatë, në momentin kur Rama la panelin për të marrë pjesë në pritjen e presidentit Biden në margjinat e OKB-së, nuk ja la drejtimin ministrit të tij të ri të jashtëm, që e ka propoganduar si “talent”, por ambasadorit shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.
Ministri aktual i jashtëm, është pikasur nga Rama, prej kohës kur ishte asistent i tij në kohën e kryesimit të OSBE-së, ku Igli Hasani, ka bërë telefonatat, mbajtjen e letrave dhe përgatitjen e sallave për të “luajtur teatër” Babloku.
Largimi i Olta Xhaçkës nga posti i ministres së Jashtme u fol që vjet, kur shpërtheu skandali i madh i konfliktit të interesit me investitorin strategjik, ish-deputet i PS-së dhe burri i ministres.
Ky skandal hapi mjaft debate brenda PS-së, dhe do të duhet të diskutohet me detaje, e të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë lejuar.
Nga ana tjetër, u rritën mjaft edhe ata që nisën të lobonin për t’i marrë postin Oltës, ku ndër më kryesorët spikati ish-kryeministri Pandeli Majko. Ndërkohë që u fol edhe për Niko Peleshin apo Mimi Kodhelin.
Në kulmin e këtyre debateve, Edi Rama urdhëroi Taulant Ballën, që ta ndalonte që në rrënjë këtë nismë të opozitës në Kuvend, duke mos e miratuar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të rastit Xhaçka. Kjo ishte thjesht për të marrë kohë, pasi sërish nisma e opozitës do të përfundonte në Kushtetuese.
Por Rama, synonte të ndalonte shpërthimin e një gare të brendshme për ministrin e jashtëm, duke i vënë kapak përkohësisht. Qitja në këtë rast ishte e largët, ngaqë si objektiv kishte mos përsëritjen e precedentit Ditmir Bushati. Ministri i Jashtëm më jetëgjatë i Edi Ramës, i cili e mbylli karrierën e tij politike dhe diplomatike, vetëm si pasojë e paranojës së kryeministrit se po ravijëzohej një profil politik i nivelit të lartë që mund ta rivalizonte seriozisht.
Bushati, përveçse krijoi një autonomi në operacionet e tij diplomatike me trupën e ambasadorëve, apo edhe me negociatat që udhëhoqi me Athinën, por u kthye edhe një një qendër rëndese numër dy e mazhorancës për ndërkombëtarët.
Fuqi të mëdha si SHBA, apo edhe vende të tjera të rëndësishme si Gjermania, Franca e Greqia, panë te Bushati, një dritare ndryshe për të diskutuar ato çështje që ishte e pamundur t’i diskutonin me Edi Ramën.
Mënyra, sjellja, por edhe profili i Ditmir Bushatit, krijoi te një pjesë e komunitetit diplomatik, një lloj alterego për ato që nuk honepsnin tek Edi Rama.
Situata arriti kulmin në vitin 2015, dy vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, kur një konferencë e rëndësishme e organizuar nga Ditmir Bushati, u kthye në një ‘minë me sahat’ për Ramën.
Në atë konferencë, ambasadori i asaj kohe i Gjermanisë, goditi ashpër ministrin e Hashim Thaçit, Enver Hoxhajn, por edhe zyrtarët shqiptarë për mungesë të rekordeve të luftës ndaj korrupsionit.
Helmut Hoffman, një diplomat veteran i Gjermanisë, e kishte zët Edi Ramën, për arrogancën e tij, e vesin e shpifur të përdorimit të celularit ndërsa bisedonte, duke e shpërfillur. Këtë ambasadori gjerman e thoshte gjithandej nëpër kancelaritë e Tiranës, dhe jo vetëm. Por tek Bushati, jo vetëm ambasadori gjerman, por edhe ai amerikan e të tjerët shihnin një format ndryshe politikani e diplomati.
Pas asaj konference që Rama i vuri syrin ministrit të tij të Jashtëm, të cilin e sorollati sa në Tiranë e Shkodër si drejtues politik, duke e përplasur fort me Tom Doshin e deputetët e tjerë, që t’i hiqte edhe atë lobim që ai kishte krijuar ndër vite gjatë militimit në PS, ku si pasojë e qënies në kancelarinë diplomatike të partisë, kishte krijuar natyrshëm një rrjet me Damian Gjiknurin, Niko Peleshin e të tjerë, me të cilët punoi për një kohë të gjatë.
Këtë lob, Edi Rama e preu dhunshëm në 2017-n, në fillim duke izoluar njerëzit e Bushatit, e më pas e ç’gradoi nga çdo funksion, duke shfrytëzuar edhe inatin e Hashim Thaçit, që prej sulmit të ambasadorit gjerman kundër tij.
Pasojat më pas dihen; vuri në krye të diplomacisë një axhami si Gent Caka, i cili edhe pse u paraqit me zhurmë si gjeni nga “xhaxhi Batoni”, ishte një djalë që kishte lexuar vetëm dy libra në jetën e tij. Sot, gjeniun Caka nuk e njeh askush. Më pas vuri Oltën, e cila si në ministrinë e Mbrojtjes ku dha pronat e flotës detare në dispozicion të oligarkëve për të krijuar ansamblin e investitorëve strategjikë, edhe në MPJ, mendjen e kishte gjetiu. As nuk ja fërshëlleu për diplomaci, ambasada apo krijimin e një klime ekipi në shërbimin diplomatik shqiptar. Prej kohës së Ditmir Bushatit, korpusi diplomatik i Republikës së Shqipërisë është i shkatërruar. Ata ose raportojnë vetëm për Edi Ramën, ose për ca të tjerë që i kanë zgjedhur sipas lobimeve përkatëse. Por asnjëherë ministria e Jashtme nuk ka arritur të krijojë një rekord apo një ditar diplomatik që t’ia shërbejë autoriteteve dhe institucioneve të shtetit. Ngaqë e panë çfarë ndodh kur dikush punon. Do përfundojë si Ditmiri, të cilin jo vetëm e mënjanuan, por larguan edhe të gjithë stafin e tij, duke i tërhequr në punë tipike ‘dirty’, që të firmosnin për koncensione apo tenderë të mëdhenj. Siç është edhe rasti i drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit që ka qenë shef kabineti i ministrit të Jashtëm.
Igli Hasani, ministri aktual i Jashtëm është emëruar si specialist për mediat në ministrinë e Mbrojtjes nga Pandeli Majko shumë vite më parë, si një lloj ‘qoke’ ndaj të vëllait, që Pandi e kishte shok.
E me emërimin e Iglit si ministër, Rama ka dashur t’i përgjigjet direkt Majkos se ai bën ministër asistentin e tij, por jo atë. E përveç Pandit, mesazhi ka shkuar edhe për të tjerë që kanë ambicje.
“Kush kërkon të bëhet ministër, jo vetëm që nuk bëhet, por Babloku do t’ia marri edhe njerëzit që kanë punësuar, duke i hequr çdo mbështetje”.
Prej vitesh tashmë, Edi Rama, me largimin e Ditmir Bushatit nga qeveria dhe degdisjen e tij jashtë kabinetit, postin e shefit të diplomacisë ja ka besuar një figure të nivelit të dytë. / Pamfleti
Lini një Përgjigje