
Refugjatët janë kthyer në instrument pazari, që Edi Rama i përdor për të mbledhur kredite politike në Bruksel dhe Berlin, ndërsa Shqipëria shndërrohet në magazinë të BE-së për të padëshiruarit...
Më 15 maj 2025, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin britanik Keir Starmer, kryeministri Edi Rama deklaroi qartë se Shqipëria nuk do të pranonte asnjë marrëveshje për deportimin e refugjatëve të vendeve të varfra dhe në konflikt, të kapur në territorin britanik.
Ai e cilësoi marrëveshjen me Italinë si të vetmen, duke e paraqitur si rast unik dhe të pakthyeshëm. Por vetëm 40 ditë më vonë, e gjithë kjo retorikë u rrëzua.
Më 19 qershor 2025, qeveria shqiptare, përmes një vendimi të posaçëm, ka miratuar në parim një marrëveshje me qeverinë gjermane, e cila do të mundësojë sjelljen dhe sistemimin e refugjatëve të kapur në territorin e Gjermanisë, përmes ngritjes së qendrave të pritjes në Shqipëri. Marrëveshja është negociuar përmes Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ-GMBH) dhe është bërë e mundur përmes shfrytëzimit të Ligjit Nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare”.
Vendimi i datës 19 qershor nuk specifikon numrin e qendrave, as zonat ku do të ngrihen, as numrin e refugjatëve që do të sjellë Gjermania dhe as afatin e qëndrimit të tyre. Ajo që dihet është vetëm një fakt: qendrat do të ngrihen. Ky skenar është kopje e marrëveshjes me Italinë, ku Shqipëria u bë vend-strehim për refugjatët e kapur në Mesdhe, me qendrën e pritjes në Shëngjin dhe kampin e izolimit në Gjadër të Lezhës.
Ndryshe nga sa deklaroi vetë Rama përballë Starmer, se Shqipëria nuk do të pranonte marrëveshje të ngjashme me asnjë shtet tjetër, tashmë rezulton se ajo ishte thjesht një gënjeshtër publike me afat skadence njëmujore.
Marrëveshja me Gjermaninë është bërë fillimisht në prapaskenë dhe më pas është formalizuar, si një tjetër shërbim që kryeministri i ofron liderëve të BE-së në këmbim të mbështetjes politike për pushtetin e tij personal.
Ende më paradoksale është mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje: projektvendimi është propozuar dhe do të zbatohet nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, dhe jo nga Ministria e Brendshme, e cila sipas funksioneve ligjore dhe kushtetuese është institucioni përgjegjës për çështjet e emigracionit.
Për më tepër, agjencia GIZ, që në këtë rast përfaqëson qeverinë gjermane, nuk ka mandat për të menaxhuar çështje azili apo migracioni. Ajo merret me marrëveshje për projekte zhvillimi ekonomik, infrastrukture dhe mjedisi në vendet partnere, por jo me transferimin e refugjatëve apo ndërtimin e qendrave të strehimit për ta.
Pra, jo vetëm që marrëveshja është bërë në kundërshtim me deklarimet publike të vetë Ramës, por edhe zbatimi i saj po bëhet jashtë çdo logjike institucionale, duke i dhënë rolin e menaxherit të emigrantëve një ministri që merret me startup-e, inovacion dhe kulturë.
Kjo skemë konfirmon edhe një herë se refugjatët janë kthyer në instrument pazari, që Edi Rama i përdor për të mbledhur kredite politike në Bruksel dhe Berlin, ndërsa Shqipëria shndërrohet në magazinë të BE-së për të padëshiruarit, pa transparencë dhe pa respekt për funksionet e shtetit ligjor.
Nëse ky është modeli i marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, atëherë bëhet e qartë se integrimi nuk po ndodh për shkak të përmbushjes së kritereve, por si rezultat i shërbimeve të nënshtruara që qeveria e Tiranës ofron në heshtje, në këmbim të mbijetesës së saj politike./Pamfleti
Lini një Përgjigje