
Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha ka vijuar të njëjtën retorikë kërcënuese si i ati, duke thënë se gazetarët duhen paditur në gjykatë.
Në një intervistë për emisionin “Open” në “News 24”, Malltezi shtoi se ajo dhe i vëllai janë penalizuar shpesh pasi nuk kanë kallëzuar në gjykatë gazetarët.
“Nuk ndjehem krenare kur padis në gjykatë një gazetar, por kjo më ka kushtuar mua duke mos i paditur. Kemi pasur kosto jashtë vendit pikërisht për këtë sepse qoftë unë, qoftë Shkëlzeni nuk kemi paditur gazetarë në gjykatë”, tha Malltezi.
Erli Murati, drejtor i Informacionit në News24, duke u ndalur në deklaratat e ish-Kryeministrit Sali Berisha, që i ka quajtur gazetarët si kriminelë që ngrenë pusi, është e tepërt. Në vijim Murati e pyeti Malltezin nëse ka ose jo besim te drejtësia, te gjykata?
“Ligji 9516 që flet për organet e drejtësisë, thuhet se SPAK ka të drejtë të survejojë gjyqtarët. Ku ka një vend në Botë që prokuroria të survejojë gjyqtarët?”, tha Malltezi.
Murati ka këmbëngulur duke e pyetur vajzën e ish-Kryeministrit nëse ka besim te gjykata, ndërsa Malltezi tha se “nuk ka besim”.
Gjithsesi ajo pohoi se në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë të ndershëm, për të cilët mund të bëhet çmos që këta gjyqtarë që nuk kapen të mos jenë pjesë e shortit apo trupës gjykues, në rastin e gjykimit të dosjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Lini një Përgjigje