TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Nëntor 2023, 16:35

Pas 10 vitesh në pushtet, Rama kërkon drejtësi për “21 Janarin”: Urdhri u dha nga qeveria, të zbatohet vendimi i Strasburgut

Shkruar nga Pamfleti

Pas 10 vitesh në pushtet, Rama kërkon drejtësi për “21

Kryeministri pas 10 vitesh në pushtet vijon ende me retorikën që dëgjojmë çdo 21 janar se do të ketë drejtësi...

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Sali Berishën dhe grupin e tij se kaosi në Kuvend po e bëjnë për shkak të reformës në drejtësi. Ai ishte sot në Dibër në një takim me socialistët dhe vijoi me teorinë se pa PS nuk mund të kishte reformë në drejtësi.

Por sot Rama u ndal te vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e cila kritikoi procesin e ndjekur për masakrën e “21 Janarit”. Edhe pse Rama ka 10 vite në pushte dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë që autorët e vërtetë të dalin para drejtësisë dhe kjo dosje të rigjykohet, kryeministri ka kërkuar sot që të bëhet drejtësi.

Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore dhe urdhri erdhi nga qeveria, duke shigjetuar në këtë mënyrë Sali Berishën apo Lulzim Bashën.

Ju e patë që Strasburgu dje, që nxori vendimin duke rrëzuar gjithë procesin farsë për “21 Janarin”. Dhe duke nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që duhej të ishte trajtuar ashtu siç e vizaton Strasburgu, nga çdo vend demokratik evropian ku drejtësia është e pavarur dhe ku qeveria nuk ja mban dorën drejtësisë. Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Nuk është fjala cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vra dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafund plumbash ndaj protestuesve që nuk paraqesnin asnjë rrezik për askënd dhe prandaj çështja është se si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e një shteti me pushkët e shtetit, si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa asnjë lloj drejtësie? Por pati një rivrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre”, tha ai.

Rama tha më tej se ky vendim i Strasburgut është mishërimi më konkret i shprehjes se drejtësia vonon por nuk harron. Sipas tij, “21 Janari” është një nga ato krime për të cilat vonesa e drejtësisë mund të jetë më e gjatë se drejtësia më e vonuar, por është një nga ato krime që kurrën e kurrës nuk mbeten pa ndëshkuar.

Është një krim me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie. Me urdhër të paligjshëm. Dhe ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë”, tha ai.

Duhet theksuar fakti se PS në fushatën e vitit 2013 premtoi drejtësi për “21 Janarin”. Por pasi erdhi në pushtet nuk bëri asnjë gjë. Në 10 vite, pati vetëm një kërkesë të policisë në prokurori për riekspertizë për vrasjen e Aleks Nikës, por asgjë tjetër. Kryeministri pas 10 vitesh në pushtet vijon ende me retorikën që dëgjojmë çdo 21 janar se do të ketë drejtësi. Duhet theksuar se janë dhe 3 vendime të tjera Strasburgu ku qeveria merr përsipër rihapjen e dosjes dhe këto vendime nuk janë zbatuar. /Pamfleti

Lini një Përgjigje