
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga Shkodra lidhur me paralajmërimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për rrezik të mundshëm nga sulme të Iranit ndaj Shqipërisë.
Sipas Berishës, Shqipëria ndodhet në një marrëdhënie armiqësore me Iranin, çka sipas tij nuk mund të mohohet. Ai i bëri thirrje NATO-s që të forcojë mbrojtjen ajrore të vendit, duke theksuar se hapësira ajrore e Shqipërisë është njëkohësisht edhe pjesë e hapësirës së NATO-s.
Ndërkohë, ai shtoi se për sigurinë brenda territorit të vendit duhet të kujdesen institucionet vendase, kryesisht policia, ndërsa kritikoi ata që krahasojnë paralajmërimin e ambasadës me deklarata të zakonshme për protesta.
“A është Shqipëria në një armiqësi më Iranin, kjo nuk diskutohet, nuk fshihet. Unë i bëj thirrje NATO-s, që ashtu siç po mbron Turqinë ashtu të na garantojë mbrojtjen kundërajrore. Kurse për akte të brendshme forcat e rendit të garantojnë qetësinë. Por të krahasosh ato me protestat e opozitës je i sëmurë, ke psikologjinë e Ajatollahëve dhe unë i them turp të keni.
Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. A ka mbrojtje Shqipëria nga NATO? Po, çdo hapësirë ajrore e Shqipërisë është hapësirë ajrore e NATO-s dhe të sigurt të jemi që NATO do na mbroje. Por NATO nuk na mbron nga atentatet në tokë. Por komunikata e lëshuar nga zyra e Fugës në arrati, se këto janë paralajmërime që lëshon për protestat e opozitës janë mjerane. Ti bëjmë thirrje NATO-s të përforcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD-së.
Lini një Përgjigje