TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Dhjetor 2025, 14:29

“Paqja fiskale”, amnistia e fshehtë që fal miliarda për klientët e qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

 “Paqja fiskale”, amnistia e fshehtë që fal miliarda

 Qeveria përdor 202 mijë qytetarë si mbulesë për të fshirë detyrimet e mëdha të kompanive të lidhura me pushtetin, ndërsa fatura i mbetet taksapaguesit...

Ligji i ri i buxhetit përfshin një “paqë fiskale” që fal detyrime tatimore për 202 mijë qytetarë, por synimi real është fshirja e borxheve të mëdha të rreth 200 kompanive të fuqishme. Shuma e falur nuk bëhet publike. Në listë përfshihen tatime, dogana, kamatëvonesa, borxhe energjie, uji dhe tarifa mjedisore. Ndërkohë, biznesmenë si Luan Bregasi, i hetuar për falsifikim dhe mos pagesa të sigurimeve, përfitojnë miliona, ndërsa qytetari i thjeshtë gjobitet për vonesa minimale. Paqja fiskale në Shqipëri nuk ka transparencë dhe nuk kërkon asnjë detyrim nga përfituesit, duke u kthyer në një skemë amnistie të pastër për klientët politikë.

 Mazhoranca miratoi pa asnjë pengesë buxhetin e paraqitur nga qeveria në Parlament, ndërsa opozita nuk reagoi për të ngritur alarmet që sjell ky ligj. Pjesa më e heshtur është e ashtuquajtura “paqe fiskale”, e cila nuk është paqe, por një amnisti masive që fal detyrimet tatimore të 202 mijë qytetarëve që zotërojnë një NIPT në drejtorinë e tatimeve.

Qindra mijëra qytetarë shërbejnë si mbulesë për më shumë se 200 biznese të mëdha. Detyrimet e personave juridikë ose bizneseve të vogla nuk ka pse të futen në një “paqe” të tillë. Kjo sepse, me një ligj të miratuar në vitin 2021, biznesi i vogël dhe personat juridikë janë përjashtuar nga taksat deri në vitin 2028. Prandaj futja e tyre në amnisti është e pajustifikuar dhe e pavlerë.

E gjithë kjo është bërë për të fshehur qëllimin kryesor. “Paqja fiskale” shërben për të fshirë detyrimet e mëdha të kompanive të mëdha për 10 vjet. Detyrime që përfshijnë shuma marramendëse, të cilat drafti nuk i bën publike. Ato përfshijnë detyrime tatimore të papaguara, komisione përkatëse, detyrime doganore, kamatëvonesa, fatura të papaguara energjie, uji, gazi, si edhe tarifa për mjedisin, pronën, mbetjet urbane dhe të tjera.

Një qytetar i thjeshtë, në rast vonese të detyrimeve për arsye jetike, si sëmundje ose pamundësi ekonomike, gjobitet ose mund të arrestohet. Ndërkohë një biznes i madh i lidhur me qeverinë mund të kryejë shkelje pa fund dhe në fund falet pa pasoja.

Në realitet, paqja fiskale është shkelje e rëndë kushtetuese. Nëse opozita ose një grup qytetarësh e ankimon, ligji mund të rrëzohet. Kushtetuta e Republikës e përcakton qartë se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Mospagimi i detyrimeve fiskale konsiderohet shkelje penale. Kjo kastë përfituese është në konflikt interesi, sepse është e lidhur fort me politikën.

Luan Bregasi, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, është një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj paqeje fiskale. Bregasi, zotërues dhe menaxhues i Birra Tirana, është subjekt hetimi nga tatimet, doganat, prokuroria, krimi ekonomik dhe gjykatat. Ai ka shkelur detyrimet tatimore, ka falsifikuar bilancet dhe ka fshehur të ardhurat. Mos pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore krijon barrë për punonjësit dhe e ngarkon shtetin me detyrime që i paguajnë të gjithë qytetarët.

Paratë që qeveria u fal të ashtuquajturve biznesmenë janë para publike. Qeveria nuk ka të drejtë t’i falë ose t’i amnistojë përveçse me vendim gjykate të rastit, jo me vendime en bloc. Shteti duhet të vendosë para përgjegjësisë të gjithë shkelësit e ligjit, duke u sekuestruar asetet, dhe shumica e këtyre aseteve janë pasuri kombëtare.

Rasti më i qartë është fabrika Birra Tirana, të cilën Ilir Meta ua dha një grupi komisionerësh që e degraduan dhe duan të shesin truallin për ndërtim. Në dokumentet e fabrikës shfaqet qartë falsifikimi i të ardhurave dhe bilanceve.

Një paqe normale fiskale nuk është e panjohur në botë. Por bëhet pas procesesh transparente, ku qytetarët informohen me detaje, dhe grupet përfituese detyrohen të kontribuojnë për shtresat e tjera shoqërore. Në Europë, bizneset e mëdha detyrohen të paguajnë 70 për qind të pagave për punonjësit që largojnë. Në SHBA, Nju Jorku dhe Kalifornia i detyrojnë konglomeratet të ndërtojnë banesa sociale. Në Itali, çdo vit bëhet “condono” për ndërtime pa leje, duke kërkuar përshtatje me planin urbanistik dhe punësim.

Ndërkohë në Shqipëri, në “paqen fiskale” nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë detyrim. Vetëm një akt i njëanshëm që i fal miliarda euro detyrime një grupi të ngushtë biznesesh. Shuma e saktë mbahet e fshehtë./Pamfleti

 

paqja fiskale amnistia e fshehtë

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Një grup deputetësh i PD pritet ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Një grup tjetër deputetësh i PD kanë filluar të qajnë, pasi ata dhe klientela e tyre në biznes, janë përfitues direkt të "paqes fiskale".

    Lini një Përgjigje