TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Dhjetor 2025, 13:51

Pse Berisha është i prirur të riciklojë të njëjtët emra

Shkruar nga Pamfleti

Pse Berisha është i prirur të riciklojë të

Sa herë që i jepet mundësia, ai nxjerr një emër nga sirtari dhe e konfirmon. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me pozicionin e Avokatit të Popullit…

Partia Demokratike po përballet prej disa javësh me një presion pozitiv për të rifreskuar piramidën e saj të drejtimit, një proces që pranohet edhe nga Sali Berisha.

Një lëvizje e inicuar nga Ervin Salianji dhe që i janë bashkuar shumë nga ata që në primaret e PD rezultuan më të votuarit, ose nga ata që garuan në listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit dhe mblodhën vota shumë më tepër te emrat që përbëjnë lidershipin, konsiston pikërisht në rifreskimin e saj, si dhe në hapjen e PD-së kundrejt elementëve të rinj.

Në parim të gjithë palët bien dakort, madje edhe vetë Berisha si kreu i PD-së e konsideron reformimin dhe hapjen si një prioritet, edhe pse deri më tani ka mbetur në nivelin e deklaratave.

Dhe pikërisht ata që sot identifikohen si pjesë të lëvizjes së Ervin Salianjit i kërkojnë Berishës që të drejtojë PD-në duke bërë realitet ato që thuhen si deklarata nga foltorja e partisë apo nga studio televizive.

Por praktika ka treguar se Berisha është i prirur të riciklojë të njëjtët emra, ndoshta nga fakti se ai i ka vendosur më parë në provë dhe ka krijuar besim. Ose nisur edhe nga fakti ku ndodhet sot opozita, riciklimi mund të shihet edhe si një qokë, një “nder i kthyer” për besnikërinë që i kanë treguar ndër vite. Kështu vepron edhe me pozicionet si në parti, ashtu edhe në grupin parlamentar.

Sa herë që i jepet mundësia, ai nxjerr një emër nga sirtari dhe e konfirmon. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me pozicionin e Avokatit të Popullit, ku pasi i dha mbështetje me firma një duzine me emra, në ditën e fundit tërhoqi mbështetjen ndaj listës që për më shumë se dy javë qarkullonte jo thjesht në media, por edhe në zyrat e Kuvendit.

Disa nga emrat e asaj liste ishin të rinj, që në një mënyrë ose një tjetër, kishin arritur të merrnin suportin e nevojshëm me firma deputetësh për t’u kthyer në kandidatë për një garë që në fund të ditës vendoset nga vullneti i deputetëve të Edi Ramës.

Në pothuajse të njëjtën ditë që tërhoqi mbështetjen për kandidatët që garonin për Avokat të Popullit, Berisha arriti të gjente konsensusin me socialistët për Komisioneren e re për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, e cila ka një mandat  për një mandat pesë vjeçar.  Emri i votuar është Lefterie Lleshi, ish-kryetare e KQZ, e propozuar nga Berisha gjatë kohës që ishte kryeministër.

Pak kohë më parë Berisha riktheu Arben Ristanin, duke e emëruar në Komisionin Rregullator në KQZ, si një prej anëtarëve dhe përfaqësues të PD-së. Ristani ka qenë Kryetar i KQZ-së dhe një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Berishës në atë kohë.

Dhe ndoshta kjo praktikë me riciklime emrash dhe ‘qoka’ do të vazhdojë sa herë që t’i krijohet mundësia. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gjatë kohës që ishte Kryeministër (2005-2013). Në pozicionet kyçe zgjodhi të emërojë ish-bashkëpunëtorët e tij të para 1997-ës, ose familjarë të tyre, edhe pse si makiazh përdori “KOP” me emra dhe fytyra të reja.

Ndryshimi që ka sot me kohën kur ishte Kryeministër është se i ka hapësirat më të pakta, por sa herë arrin konsensusin me socialistët, nga sirtari nxjerr një emër.  /Pamfleti/

 

berisha riciklim figura

Lini një Përgjigje