
Partia Demokratike do të zhvillojë pasditen e së hënës foltoren e rradhës te Kryeministria. Kjo është protesta e katërta rradhazi në po kaq javë, e cila zhvillohet në formatin e një ‘foltoreje parlamentaro-qytetare’.
Ndërkohë, deputeti Belind Këlliçi nisur edhe nga fakti se 8 dhjetori është një datë historike, pasi 35 vite më parë shënoi nisjen e lëvizjes studentore që pasoi me vendosjen e pluralizimit në Shqipëri, i ka bërë thirrje të rinjve që t’i bashkohen PD në këtë protestë.
Këlliçi shkruan në një postim në rrjetin social facebook, se 8 Dhjetori nuk është vetëm një datë historike, por simboli i përgjegjësisë së brezit të ri për të mos pranuar status quo-në, për të mos braktisur atdheun, dhe për t’u përballur me sfidat që po e pengojnë zhvillimin dhe lirinë e tyre.
“8 Dhjetori, si Dita e Rinisë dhe simboli i Lëvizjes Studentore, është mishërimi i një gjysmë shekulli uri të rinisë dhe popullit shqiptar për liri, për dije, për dinjitet.
Pavarësisht se simbolikat ndryshojnë me kohën, kauza e madhe vijon të jetë aktuale edhe në kontekstin ku jetojmë.
Shqiptarët ende aspirojnë të jetojnë në një shtet të lirë, demokratik, të begatë dhe të modernizuar.
Rinia shqiptare i ka të gjitha potencialet për ta aktualizuar këtë liri.
Askush më mirë se të rinjtë nuk e ndjen pengimin e aftësive, stanjacionin ekonomik, frustrimin e potencialit të tyre të jashtëzakonshëm. Pavarësisht propagandës, të rinjtë nuk janë apatikë apo indiferentë.
Ata shohin dhe kuptojnë gjithçka, përfshirë dhe faktin se janë lënë qëllimshëm larg vendimmarrjes, barazisë në meritë me qëllimin e vetëm patronazhimin e shoqërisë në çdo qelizë.
Në të njëjtën kohë, është në dorën e të rinjve të vetëdijësohen për situatën kritike që vendi po kalon.
Të keqes mos t’i përgjigjemi me ikje, por me përballje.
Me të gjitha energjitë e tyre, kreativitetin, forcën e mendimit, rinia duhet të realizojë me çdo e mos sot, kushtet për të ardhmen që dëshiron nesër”, shkruan Këlliçi.
Lini një Përgjigje