TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2023, 10:19

Pakti Rama-Meloni për refugjatët, Presidenti i Italisë ratifikon marrëveshjen dhe ia dërgon parlamentit

Shkruar nga Pamfleti
Pakti Rama-Meloni për refugjatët, Presidenti i Italisë ratifikon
Presidenti italian Sergio Mattarella dhe kryeministrja Giorgia Meloni

Presidenti italian Sergio Mattarella ka autorizuar prezantimin në dy Dhomat e Parlamentit, të projektligjit mbi Protokollin e Bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë në fushën e emigracionit.

Presidenca Italiane në një komunikim për mediat informon se presidenti Mattarella e ka miratuar dërgimin në Dhomën e Deputetëve dhe në Dhomën e Senatit të Parlamentit të Italisë, ratifikimin dhe zbatimin e projektligjit të Protokollit, të firmosur më 6 nëntor 2023 në Romë midis Qeverisë së Republikës Italiane dhe Qeverisë Shqiptare mbi forcimin e bashkëpunimit në çështjet e emigracionit si dhe në rregullat e bashkërendimit me sistemin e brendshëm ligjor.

Informacioni është publikuar dhe në aktet normative të firmosura nga numri 1 i republikës italiane, presidenti Sergio Mattarella.

Ndërkohë Gjykatës Kushtetuese ka vendosur për pezullimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi si të ligjshme kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Në padinë e tyre ata kërkuan pezullimin e miratimit, si hap i parë dhe më pas shfuqizimin si antikushtetues të  marrëveshjes Rama-Meloni për pritjen në Shqipëri të emigrantëve të huaj, që kapen në detin Mesdhe.

Sipas opozitës, marrëveshja ka disa shkelje kushtetuese, por dy janë kryesore. Së pari, kryeministri nuk ka marrë autorizim nga Presidenti për t’i dhënë Italisë në përdorim territor shqiptar. Deputetët e opozitës arsyetojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2010-ën për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, qeveria nuk mund të negociojë për një marrëveshje me një shtet tjetër për çështje ku përfshihet territori, nëse më parë nuk merr autorizim nga presidenti.

Argumenti tjetër kryesor është çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut në territorin e Shqipërisë. Duke qenë se marrëveshja detyron mbajtjen të mbyllur në kamp të emigrantëve, deputetët e opozitës arsyetojnë në kërkesën e tyre për gjykatën kushtetuese se kjo bie ndesh me disa konventa ndërkombëtare për trajtimin me dinjitet të emigrantëve.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

giorgia meloni sergio mattarella marrëveshja për emigrantët

Lini një Përgjigje