
Shiu i ditës së sotme, si përherë edhe kësaj herë, përmbyti ç’gjeti. Përveç se është një stres për ata që kanë makinë dhe ngecin në trafikun kaotik e gjithaq problem për ata që ecin në këmbë dhe bëhen qull nga koka tek këmbët, acaroi edhe Erion Braçen. Zëri i tij ‘opozitar’ është ngritur edhe kur ka qenë vetë pjesë e qeverisë, por kësaj here na frymëzoi për të shkruar.
Në postimin e tij në Facebook, Braçe shkruan se kjo gjendje e tmerrshme është krijuar nga ndërtuesit e pallateve dhe Bashkia nuk ka kurrsesi faj. A thua se Bashkia është institucion që ka për detyrë të mbledhë vetëm taksa e të fabrikojë milionerë dhe jo të kontrollojë ndërtimet pa karar të këtyre ndërtuesve të pandërgjegjshëm. Por, për t’ju dhënë një panoramë më të qartë, po ju japim postimin e Erionit:
“L I V E: NE LAGJE!
PER TE DALE NGA SHTEPIA E PER TE SHKUAR NE PUNE!
Rruga eshte PERMBYTUR ne gati 30 metra,
mjaftueshem per te mos dale si njeri nga shtepia por si MAJMUN-meqe kemi dhe pyllin afer!
NUK ESHTE FAJI I BASHKISE;
Rruga kur u ndertua u be me kanalizime e gjithcka duhet te kete per levizje normale.
Faji eshte i ketyre TRE NDERTUESVE TE TRE PALLATEVE, jane nder me te medhenjte ne vend keta;
Ndertimet e tyre kane bllokuar kanalet, edhe ne anen e tyre edhe ne anen e pyllit dhe ja ku jemi.
Shi ka rene edhe me pare-pa nisur ndertimet e ketyre, por nuk jemi permbytur keshtu; nuk ra ndonje shi pertej logjike edhe sot.
Ndaj merrem me ndertimin une;
KA KULTUREN ME MIZERABEL TE PUNES-ne raport me mjedisin, komunitetin-lagjen, punetoret, tatimet e taksat!
Ky nuk eshte sektor ekonomik, ky eshte hall, PER TE GJITHE!”, thotë Braçe, i cili pa dashur na kujtoi një fragment të filmit ‘Koncert në vitin 1936’, ku një prej drejtuesve lokalë të kohës i përgjigjej Nesti Bënjës, personazhit që kishte shkruar në gazetë artikullin ‘Myzeqeja, hambar i mushkonjave’.
Personazhi i ngjashëm në këtë rast me Erion Braçen thoshte: ....Se Myzeqeja nuk është hambar i mushkonjave. Vërtet ka ca, por në farmaci po shiten kinina me shumicë, njerëzia nuk i blen, ç’faj pastaj ka qeveria?!
E ky personazh grotesk tani është Erioni që duket si një revolucionar i madh kundër kësaj qeverie dhe pushteti, pjesë e së cilës është vetë dhe fajëson ata që ‘gjetën shesh e bënë përshesh’!
Braçe, thuaji kolegëve dhe drejtuesve të bashkive kudo ndodhen të mos japin leje pa ‘hesap’, se për një tjegull të thyer, kur qytetari apo fshatari i thjeshtë do ta zëvendësojë, zbarkojnë qindra vetë të institucioneve të ndryshme që varen nga bashkia (dhe jo vetëm) a thua se po bëhet hataja. Ndërsa për ndërtime kullash dhe jashtë standarti, as spiunllëqet e komshinjve nuk bëjnë punë në këtë shtet./ Pamfleti
Lini një Përgjigje