
Nëse ka gjëra për të cilat mazhoranca dhe opozita shqiptare bien plotësish dakord, ato janë ‘dëshirat dhe tekat’ e presidentit Donald Trump.
Ndonëse ditët e fundit, PD-ja nuk ka lënë akuza pa i bërë kryeministrit Edi Rama lidhur me ftesën e marrë nga Trump për Bordin e Paqes, sot ata kanë deklaruar se do ta votojnë pa asnjë diskutim nismën e Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
Ishte vetë deputetja e demokrate, Ina Zhupa e cila deklaroi se opozita do ta votojë nismën e Trump për Bordin e Paqes.
“PD-ja ka qenë, është dhe do të jetë një parti proamerikane dhe proeuropiane dhe i shikon si partner strategjik SHBA-të. Fakti që Presidenti amerikan po ndërton një bord me të gjitha shtetet, ku Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, pasi aty gjen Rusinë, Bjellorusinë etj, pra nuk është privilegj për Ramën, por thjesht je një shtet ku do jesh pjesë e një bordi me mbi 100 shtete. Sa i përket PD-së, jo vetëm jemi parti proamerikane, por kemi mbajtur edhe qëndrim publik në mbështetje të Presidentit Donald Trump. Mbështesim çdo iniciativë të paqes dhe Trumpit dhe nuk do jemi kurrë kundër vendimeve të marra nga administrata amerikane. Kjo nuk është as çështje për diskutim në PD. Është në statutin tonë dhe në idealin tonë. Tentativa e Edi Ramës për ta shitur ftesën si një miqësi personale, si sukses apo lider i përzgjedhur, ishte propagandë sepse nuk ka lidhje me ndonjë arritje të mazhorancës. Është diçka protokollare dhe PD-ja nuk i ngatërron qëndrimet e saj ndaj mazhorancës me raportin që ka me SHBA-në”, tha Zhupa.
Vlen të theksohet se e njëjta skemë u përdor edhe sa i takon projektit për ishullin e Sazanit, të cilin dhëndrri i Trumpit, Jared Kushner e kërkoi që të ndërtonte një resort luksoz. Pavarësisht se Opozita e kritikoi gatishmërinë e qeverisë për ta ofruar ishullin për familjen e Trump, nga ana tjetër u shpreh se po të ishte në pushtet do të kishte bërë të njëjtën gjë.
Lini një Përgjigje