
Deputetët e Partisë Demokratike, vijojnë të komentojnë opinionet e Komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës dhe reagimet e mazhorancës për këtë.
Deputeti demokrat, Dash Sula, ka theksuar se mazhoranca është e detyruar ta lexojë si fitore ‘shuplakën’ e Komisionit të Venecias.
Ai theksoi se në mënyrë të paimagjinueshme, deputetët socialistë injoruan dy herë vendimin e Kushtetueses.
Sula u shpreh se dërgimi i çështjes për opinion në Komisionin e Venecias, ishte për të kaluar kohën, pasi socialistët në asnjë rast nuk do ia dorëzojnë Xhaçkën drejtësisë.
"Halli i madh i detyron që të lexojnë si fitore edhe shuplakën e Komisionit të Venecias. Mazhoranca ka dy vite që përpiqet ta mbrojë me imunitetin që i garanton mandati si ligjvënëse deputeten e vetë bashkëshorti i së cilës u bë investitor strategjik gjatë kohës që Znj. Xhaçka ishte ministër.
Në mënyrë të imagjinueshme (siç e ka cilësuar vet kryesuesja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj), socialistët në parlament injoruan dy herë vendimin e Gjykatës. Sigurisht e kanë bërë se halli që kanë është i madh ndaj po e mbrojnë. Në këtë kontekst nuk kishte asnjë dyshim se dërgimi i çështjes për Opinion në Komisionin e Venecias ishte një procedurë për të kaluar kohën dhe se në çdo rast pavarësish opinionit, ligjvënësen nuk do ia dorëzonin drejtësisë”, është shprehur Sula.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Deputeti demokrat tha se Kuvendi duhet të zbatojë urdhrin e gjykatës dhe ta çojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.
“Komisioni i Venecias sot foli qartë e me zë të lartë: vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë rastin Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje, zvarriten, minohen, pengohen apo bllokohen nga Kuvendi me votën e mazhorancës. Kuvendi duhet ta dërgojë rastin Xhaçka menjëherë e pa vonesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet Bylykbashi.
Lini një Përgjigje