Vijojnë debatet mes opozitës dhe mazhorancës për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropalim, ka reaguar në një postim në “X” për opinion e Komisionit të Venecias, duke theksuar se morën përgjigje të gjitha akuzat dhe shpifjet e opozitës. Sipas saj qëndrimi i mazhorancës lidhur me mandatin e Xhaçks, nuk ishte as politik as partiak.
“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit!
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Kam bindjen se ky opinion i drejtë do i shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen”, shkruan Spiropali.
Këtë reagim të kryeparlamentares e ka komentuar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Bardhi ka theksuar se Spiropali duhet të rilexojë edhe njëherë opinion e Komisionit të Venecias.
Sipas tij kryeparlamentarja po dezinformon duke vijuar tentativën për të mbrojtur deputeten e cila është në shkelje kushtetuese.
“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor”, shprehet Bardhi.
Lini një Përgjigje