TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shkurt 2025, 10:23

Një në Gjermani, tjetri në SHBA, Berisha dhe Kryemadhi i shmangen SPAK-ut

Shkruar nga Pamfleti
Një në Gjermani, tjetri në SHBA, Berisha dhe Kryemadhi i shmangen
Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha

Deputetja Monika Kryemadhi dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kanë shmangur vizitat në SPAK.

Kryemadhi kishte detyrim të paraqitej në SPAK sot në zbatim të masës "detyrim për paraqitje", por nuk do të paraqitet për shkak të një udhëtimi të saj në SHBA.

Po sot në SPAK, si e hënë e parë e muajit, duhet të paraqitej edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po ashtu, ka marrë leje në SPAK për të mos u paraqitur për shkak të pranisë së tij në kongresin e CDU në Gjermani. 

Ish-kryetarja e LSI-së, aktualisht deputete e Partisë së Lirisë, po hetohet nga SPAK për tre akuza  pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta. Aktualisht ai ndodhet në qeli, pasi ndaj tij SPAK ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg'.

Ndërsa Sali Berisha ka masë sigurie nga Apeli i Posaçëm për paraqitjen e tij dy herë në muaj pranë një oficeri të policisë gjyqësore.

Berisha është marrë i pandehur për çështjen e privatizmit të ish klubit sportiv Partizani, ku sipas prokurorisë, ai favorizoi dhëndrin e tij, një nga ish pronarët e truallit mbi të cilin u ngrit me pas një kompleks pallatesh.

Në Tetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”.

Berisha refuzoi ta njihte një masë të tillë, duke vlerësuar se ajo ishte në shkelje të kushtetutës pasi sipas tij do duhej më parë të merrej autorizim nga parlamenti. Një veprim që i kushtoi dy muaj më pas, “arrestin në shtëpi”. Ndërkohë në fund të vitit të shkuar, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë SPAK-ut.

Lini një Përgjigje