
DEA dhe Antimafia e Barit kanë në dorë dosje më të rënda, me prova për pastrimin e parave të kokainës në zgjedhjet e 11 majit. Në lojë janë deputetë, por edhe shumë më tepër. Operacioni nuk ka mbaruar...
Kur SPAK dhe Antimafia e Barit shpallën operacionin “URA”, në listë u përfshinë emra të njohur të klanit të Durrësit, por arrestimet u bënë pas zgjedhjeve. Dhe pikërisht kjo ka ngritur dyshime të forta se kapot e narkotrafikut u lanë të veprojnë lirisht gjatë fushatës së 11 majit, për të ndikuar në votë dhe për të ruajtur kontrollin financiar në zonat që e njohin si “territor të sigurt”.
Gazetari Flamur Vezaj dhe vetë Sali Berisha ngritën publikisht këtë pikëpyetje: Pse nuk u arrestuan para zgjedhjeve? Dhe burime të nivelit të lartë konfirmojnë për Pamfleti se elementë të këtij rrjeti janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në lobimin elektoral, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për segmente të caktuara të opozitës.
Operacioni “URA” është vetëm “pjesa e parë e serialit”. Në prapaskenë po përgatiten dy dosje të tjera më të rënda, të cilat nuk janë bërë publike, por janë në duart e prokurorit Vladimir Mara, i cili ka vendosur linjë të përhershme bashkëpunimi me DIA-n e Barit dhe ka marrë informacion të klasifikuar në një vizitë të fundit në Amerikën Latine, bashkë me Altin Dumanin.
Lidhja është globale, por paratë qarkullojnë në Shqipëri. Nga burimi në Amerikën e Jugut, kokaina hyn në Itali, Belgjikë, Hollandë e Francë, dhe paratë pastrohen në zonën turistike nga Durrësi në Vlorë, në emër të firmave ndërtuese, resorteve dhe industrive të tjera. Në këto biznese janë përfshirë edhe autoritete të larta shtetërore.
Në konferencën e ambasadës amerikane u dha një mesazh i koduar, por i qartë, me përfshirjen e DEA-s në operacionin “URA”:
“Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s.”
Kjo është ftesë për bashkëpunim të thelluar, dhe njëkohësisht sinjal se shërbimet amerikane janë të përfshira në fazën e dytë të operacionit, që ka në qendër pikërisht investimet e trafiqeve në politikën shqiptare.
Përflitet për një të penduar të fuqishëm, aktualisht në mbrojtje të strukturave italiane, i cili ka dorëzuar informacione mbi paratë e kokainës të injektuara në fushatën e 11 majit, në kompani ndërtimi dhe në emra që janë në rrethin e ngushtë të pushtetit dhe opozitës.
Burime të klasifikuara përmendin se dy deputetë të rinj janë në shënjestër, dhe se verifikimi i mandateve të tyre mund të çojë në anulime. Madje, nëse dëshmia e të penduarit mbështetet me fakte, mund të tronditet e gjithë struktura aktuale e Parlamentit.
Kjo është arsyeja pse, sipas të njëjtave burime, Edi Rama i është gjunjëzuar Giorgia Melonit gjatë Samitit të Tiranës. Sepse prokuroria italiane është tashmë drejt finalizimit të dosjeve të reja, dhe fati i Ramës, nuk është më në duart e SPAK-ut, por në duart e Barit.
Ka madje edhe spekulime për propozimin e një koordinatori shqiptar për luftën ndaj narkotikëve në OKB, që do të jetë një emër i njohur nga prokuroria speciale, sinjal që po ndërtohet një strukturë më e madhe, ku autoriteti do të jetë ndërkombëtar dhe jashtë kontrollit të qeverisë.
Kjo është La Piovra – Sezoni 2. Nuk ka më vetëm kapje të bandave. Tani ka hetim për financim elektoral, pastrim parash dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të politikës në zinxhirin e trafikut.
Nëse të gjitha këto konfirmohen, nuk do digjen vetëm dy deputetë. Mund të digjet fitorja e 11 majit. Mund të shembet e gjithë qeveria./Pamfleti
Lini një Përgjigje