Emigranti tiranas, që është larguar nga vendi që në vitin 1992, vjen rrallë në vendin e tij; por çdo sekondë i ka veshët këtu.
Letra e fundit niste me tone thuajse urdhëruese: “Pse nuk e bëni Gaz Bardhin kryetar të PD?”. Këta emigrantët qëkur u larguan, na quajnë të vegjël ne që mbetëm këtu. Të vegjël sepse fillimisht ata nisën të jetojnë më mirë, e thuajse në bollëk- sipas nesh. Pastaj ata nuk e ndryshuan dot qasjen: Ne jemi më të vegjël e mund të na urdhërojnë edhe për të vënë Gaz Bardhin në krye.
Shkruan frazën e parë:
“Po lexoj në internet dhe më erdhi një mendim. Pse nuk zgjedhin G Bardhin demokratet...”
Fillimisht urdhërorja e emigrantit të duket një bezdi më vete. Por pas pak sjell argumente. Kush sjell argumente, ky nuk është urdhërues koti.
Argumenti i parë që solli emigranti:
Zgjidheni ‘se këtu Syriza një të tillë kanë vënë ne krye. Janë në mode duket. Do ju dali punë e re ju analistëve se këtu u harruan të vjetrit’.
Në fakt është e dyta herë që Syriza zgjedh një djalë të ri e të panjohur në krye. Për këtë model e ka fjalën emigranti, që Bardhi, si ai i Syrizës, është një djalë bezdisës, pa frerë, që bën çfarë i thotë mendja...
Emigranti na e sjell modelin nga Greqia. Madje thotë se ‘ju analistëve do t’u dalë punë’, duke nënkuptuar se edhe Gazi është energjik e nuk e kap dot as me gjethe fiku.
Ja edhe portreti më i hollësishëm që i bën emigranti shqiptar atij kryetarit në Athinë:
‘Sa hap televizorin në mëngjes me këtë të riun merren. Ku shkon, ça flet, ku banon... Ku e bëri dasmën. Ra rehat lufta politike. E solli Amerika. Në zgjedhjet e ardhshme mund të zgjidhet dhe kryeministër. I zgjidhi problemet Greqia për të ardhmen. Ndiqini dhe ju këtë rrugë se do bini rehat. Gaz Bardhi duhet aty se në çast do harrohet çdo gjë. Një gallatë e madhe kjo botë. Po shkon për lesh....’
Emigranti nuk e fsheh dot distancën që ka nga kohët moderne, ku liderë të rinj e të shkathët ngjiten në krye të shteteve. Fryma antiamerikane që ndjehet në Athinë e bën që të thotë edhe se “Amerika e solli”, por ndërkohë shpreh një simpati të fshehtë. Emigranti ka shpresë se me ardhjen e modelit të ri në krye të PD, punët bëhen më mirë si për PD edhe për vetë Shqipërinë.
Një gjë të mbetet në mend: Emigrantët guxojnë ta krahasojnë Greqinë me Shqipërinë që ata thonë se është mbrapa Greqisë. I duan liderët politikë të njëllojtë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje