TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Prill 2024, 12:50

Një Ballkan i qëndrueshëm, parakusht për një Evropë të qëndrueshme

Shkruar nga Pamfleti

Një Ballkan i qëndrueshëm, parakusht për një

Në fund të viteve 1800, kancelari gjerman Otto von Bismarck e identifikoi Ballkanin si një rajon të paqëndrueshëm që mund ta zhyste të gjithë Evropën në një luftë me pasoja katastrofike. Lufta e Parë Botërore tregoi se ai kishte të drejtë. Fundi i gabuar i atij konflikti krijoi terrenin për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore pak vite më vonë...

Edhe sot e kësaj dite, rajoni është ende duke luftuar, siç ka ndodhur që nga koha e Jul Çezarit. Në një epokë ku Evropa po përballet me sfida të pashembullta, vendet në Ballkan e gjejnë veten në një moment delikat. Lufta në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e tretë, ka nënvizuar natyrën e pasigurt të stabilitetit rajonal.

Duke eliminuar kundërshtarin e tij kryesor Navalny-n, që përpara zgjedhjeve presidenciale farsë, Vladimir Putin vetëm sa e ka shtuare nevojën emergjente për një Evropë të bashkuar dhe të qëndrueshme. Nën këtë sfond, bëhet vendimtar roli i çdo kombi evropian, dhe sidomos për ata që janë në pragun e Bashkimit Evropian.

Ndërsa evropianët po shkojnë në zgjedhje në qershor, rezultatet e tyre do të përcaktojnë edhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht të Ballkanit. Ky rajon bart ende shumë konflikte të ngrira që Kremlini është gati t’i shfrytëzojë, përfshirë ato midis Serbisë dhe Kosovës, situatën kërcënuese në lidhje me mbështetësit e Putinit në Bosnje Hercegovinë, si dhe trazirat e brendshme të shkaktuara nga vitet e qeverisjes korruptive në Maqedoninë e Veriut.

Është e rëndësishme, që ndërsa Maqedonia e Veriut po përgatitet për zgjedhjet parlamentare, vendi ka shansin të korrigjojë pozicionin e tij, duke hedhur një themel të fortë për një Ballkan të qëndrueshëm. Maqedonia e Veriut ndodhet para një zgjedhjeje vendimtare midis dy rrugëve.

Ajo mund të vazhdojë përgjatë trajektores së saj aktuale, që e ka parë vendin të kthehet pas dhe të destabilizohet nën drejtimin e Unionit Social Demokrat të Maqedonisë (LSDM), ose mund të zgjedhë të drejtohet drejt ndryshimit me Organizatën e Brendshme Revolucionare Maqedonase - Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas (VMRO- DPMNE) nën një lider të ri, Hristijan Mickoski.

Mandati i LSDM-së është dëmtuar shumë nga stanjacioni ekonomik dhe korrupsioni, duke hedhur një hije të madhe mbi aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Me gjithë premtimet e shumta, mandati i qeverisë së LSDM-së ka sjellë një kthim prapa në fusha vendimtare, pa ndonjë përparim të rëndësishëm drejt anëtarësimit në union.

Ky model qeverisjeje jo vetëm që e ka zhgënjyer publikun maqedonas, por ka ngritur shqetësime tek investitorët të huaj të mundshëm por edhe tek vetë drejtuesit e BE-së. Një veprim veçanërisht i diskutueshëm nga partia kryesore qeverisëse LSDM ishte miratimi i një ligji që po mbron shumë zyrtarë të qeverisë nga akuzat për korrupsion.

Kjo manovër legjislative jo vetëm që liroi nga akuzat shumë zyrtarë të dyshuar për përfshirje në praktika korruptive, por sinjalizoi nga ana tjetër një distancim shqetësues nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës. Pasojat e këtij ligji kanë qenë të gjera, duke nxitur rritjen e pakënaqësisë së publikut me qeverisjen dhe duke e thelluar mosbesimin ndaj institucioneve qeveritare.

Për më tepër, vetëm pak kohë më parë Departamenti i Shtetit i SHBA-së futi në listën e zezë dhe vendosi sanksione ndaj ish-drejtueses së Prokurorisë Speciale të Maqedonisë së Veriut, tashmë në arrati, Katica Janeva, përveç Stevço Jakimovskit, kryetarit të komunës Karposh në rrethinat e Shkupit, që së fundmi ka shpallur kandidaturën për president.

Ndërkombëtarët reaguan ashpër për shkak të përfshirjes së zyrtarit të lartpërmendur në korrupsionin e nivelit të lartë, duke ekspozuar më tej shkallën e keqpërdorimit të administratës nga LSDM. Prandaj, VMRO-DPMNE ofron shpresë, si brenda vendit ashtu edhe globalisht.

Thirrja për ndryshim është e qartë, e nënvizuar nga zhgënjimi i dukshëm i popullit maqedonas me status quo-në aktuale. Sondazhet tregojnë një konsensus në rritje për një ndryshim në udhëheqje, me VMRO-DPMNE-në që është e gatshme të përkthejë ndjenjat e publikut në një qeverisje vepruese.

Udhëheqësi i VMRO-së, Hristijan Mickoski, ka treguar një vendosmëri të madhe për ta çuar Maqedoninë e Veriut drejt një ndryshimi pozitiv. Vizioni i Mickoskit është një qeverisje e fortë, e lirë nga 'prangat' e korrupsionit dhe e orientuar drejt rigjallërimit ekonomik nëpërmjet investimeve të huaja.

Për më tepër, angazhimi i tij në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s dhe për përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tregon se ai i ka kuptuar shumë mirë detyrimet  strategjike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh kontekstin e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në SHBA në nëntor, dhe teksa ish-presidenti amerikan Donald Trump i ka inkurajuar vazhdimisht aleatët e NATO-s që të përmbushin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind të PBB-së.

Prandaj, përmbushja e kërkesave për buxhetin e mbrojtjes nga Maqedonia e Veriut do të forconte jo vetëm Ballkanin, por edhe Aleancën në tërësi. Ndërkohë, perspektivat e anëtarësimit në BE do të rriteshin nën qeverisjen e VMRO-DPMNE, pavarësisht përpjekjeve të Bullgarisë për të vendosur sërish veton kundër anëtarësimit në union të Maqedonisë së Veriut.

Administrata e re do të ishte në një pozicion më të mirë për të gjetur një kompromis me fqinjin e saj, duke pasur parasysh se vetë Bullgaria është e shqetësuar nga korrupsioni i shumë-përhapur në administratë si dhe nga paqëndrueshmëria e madhe e shkaktuar nga mbajtja e 6 palë zgjedhjeve në 3 vitet e fundit.

Paqëndrueshmëria e Bullgarisë, do të ishte në kontrast të dukshëm me qëndrueshmërinë e sapo-gjetur të Maqedonisë së Veriut, duke e forcuar perspektivën e mbështetjes së Shkupit nga vendimmarrësit kryesorë evropianë. Kështu, pasojat e këtyre zgjedhjeve shtrihen shumë përtej kufijve të Maqedonisë së Veriut, duke pasur jehonë në të gjithë Evropën.

Ndërsa kontinenti përballet me kërcënimet e jashtme dhe ndarjet e brendshme, rruga që do të zgjedhë Maqedonia e Veriut në këtë zgjedhje do të ketë një rëndësi shumë të madhe. Vendi ka shansin për t'u bërë 'tulla' e parë e themelit për një Ballkan të qëndrueshëm, një mision i gjatë që do të merret përsipër nga administrata e re./Përshtati Pamfleti nga “Newsmax”

Shënim: Koloneli në pension i ushtrisë amerikane Wes Martin, ka shërbyer në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në mbarë botën.

 

ballkan i qendrueshëm evropë e qendrueshme

Lini një Përgjigje