
Nis numërimi mbrapsht për Fatmir Mediun. Në 8 mars në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mbahet seanca paraprake për për ish-ministrin e Mbrojtjes, sa i takon shpërthimit në Gërdec.
Më 8 shkurt SPAK mori të pandehur Mediun dhe e dërgoi për gjykim. Mediu akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi sipas organit të akuzës ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin për demontimin dhe tregtimin e armëve.
“I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k”, tha SPAK në atë kohë.
Hetimet
Ishte Gjykata e Lartë e cila përmes një vendimi në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. Më parë kishte qenë Apeli i GJKKO, i cili më 24 shtator 2021 mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
Nga ana tjetër SPAK ka dërguar në korrik të këtij viti një letër-porosi në SHBA, ku kërkohet marrja në pyetje e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia. Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni, në sajë të mbështetjes direkte nga qeveria Berisha, madje edhe lidhjes me Shkëlzen Berishën dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan. Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.
Lini një Përgjigje