
Ish kryemistri Sali Berisha ka folur para gazetarëve pas mbylljes së mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Berisha tha se maxhoranca doli nga sallat e Kuvendit dhe shkoi në një lokal, ku sipas tij po miratojnë buxhetin për vitin 2024. Më tej, ish kryeministri tha se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla do të vihet nën hetim për moslejimin e deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në mbledhjen e Konferencës, dhe mbylljen sipas tij të 6 deputetëve në ashensor nga Garda.
Berisha tha se deputetët u mbyllën në ashensor në katin e katërt, por shtoi se “ndaj çdo lloj avarie mund të përfundonin në katin e parë me urdhër të saj”.
"Kjo ndërtesë përveç kohës së Hoxhës, nuk ka qenë e pushtuar nga policia dhe garda. Akt i turpshëm. Deputetët e opozitës, kryetarja e ashtëquajtur krijoi një përpjekje e cila do hetohet, sepse mbylli derën në një kohë kur 5-6 [prej tyre ishin në ashensor në kat të katërt, që ndaj çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë me urdhër të saj.
Kjo tregon se parlamenti ka humbur çdo të drejtë së funksionuari. A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinalitet buxhetin. Në vend të një diskutimi të hapur, takimi me grupet interesit, kaluan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje