Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se mandatet parlamentare të PD, në vitin 2019, i dogji Sali Berisha, ndërsa Lulzim Basha që ishte kryetari i partisë thjesht komunikoi vendimin.
Kjo është hera e parë që grupi Alibeaj ia faturon Berishës këtë vendim edhe pse në krye të partisë ishte Lulzim Basha që e mori përsipër vendimin madje e mbrojti deri në fund, duke bojkotuar edhe zgjedhjet lokale.
Alibeaj gjithashtu deklaroi se PD po ndjek kursin "euroatlantik" dhe e justifikoi faktin që kjo parti nuk gjeti kandidatë në zgjedhje, me refuzimin e degëve për të nxjerrë kandidatë.
“Pra, duke parë secili situatën në degën e vet, në bashkinë e vet, do të ishin ata në analizë të fundit që do të vlerësonin nëse do të ishte më e dobishme për ta dhe për Partinë Demokratike që të merrnin përsipër kandidimin për kryetar bashkie apo jo dhe çfarë do të ishte pozicioni i strukturave lart, kryesia e me radhë, do të ishte t’i bindeshin, të pranonin atë zgjedhje që do të bënin degët poshtë.” – u shpreh Alibeaj gjatë një interviste për Euronews Albania.
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike zbuloi edhe disa detaje në lidhje me takimin që pati me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Alibeaj pohoi se zoti Escobar i kishte shprehur interesin e SHBA-ve për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, për një proces të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Ai shtoi se pjesë e diskutimeve ishte dhe situate në PD, por pa dhënë detaje të hollësishme.
“Escobar tregoi interesin që ai kishte për zgjedhjet vendore, zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, të cilat janë janë shumë të rëndësishme siç është bërë e ditur edhe nga përfaqësuesja e tyre zonja Kim.
Raporti përcakton korrektësinë e zgjedhjeve që është guri i themelit për ngritjen e një sistemi që të përngjajë me demokracinë.
I kam bërë me dije dhe zhvillimet Brenda Partisë Demokratike. Unë besoj se e kanë kuptuar çfarë ndodh me zgjedhjet, edhe raporti i ODHIR i zgjedhjeve të 25 prillit 2021 që doli menjëherë tregoi fare qartë dhe bëri skanerin se çfarë cilësie zgjedhjesh bëhen në Shqipëri.”, tha Alibeaj.
Alibeaj foli edhe në lidhje me situatën në PD dhe zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në lidhje me tërheqjen e kandidatëve të PD-së nga zgjedhjet lokale, Alibeaj pranoi që ky është një fakt dhe tha se duhet të respektohen zgjedhjet personale të gjithësecilit.
Kreu i komanduar i PD theksoi se zgjedhjet e 14 majit janë një test për qëndrimet e tyre të mbajtura gjatë këtij viti dhe në bazë të rezultatit partia do t’i nënshtrohet një procesi ristrukturimi.
“Ky është një fakt. Dua të bëj të qartë një gjë, ajo që është linja politike e PD është se të gjithë ata deputetët, anëtarë Kryesie, kandidatë, kryetarë degësh, përfaqësues të Këshillave Bashkiakë duhet të kenë një qëndrim të qartë dhe të saktë tek vota dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Ky është rregull statutor i PD-së. Por nëse duam të jemi në një shoqëri të lirë dhe të respektojmë lirinë e individit secili mund të zgjedhë rrugën e vetë, duke bërë përllogaritjet e tij të kostove dhe përfitimeve të qëndrimit politik. Ajo që është e rëndësishme është ajo që do ndodhë me PD pas këtyre zgjedhjeve, për të marrë vlerësimin e qytetarëve në lidhje me qëndrimin që kemi mbajtur deri tani për një vit e gjysmë. Partia Demokratike do të testohet dhe pas 14 majit PD është e detyruar për shkak të statutit dhe të ngjarjeve që të futet në një proces ridimensionimi dhe riorganizmi të kulturës së bëri politikë.”, tha Alibeaj.
Lini një Përgjigje