TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Gusht 2023, 09:20

Nga mbrojtja te ministria e Belindës: ndryshimet që përfliten në kupolën e PS

Shkruar nga Pamfleti

Nga mbrojtja te ministria e Belindës: ndryshimet që përfliten

Takimet misterioze që ka zhvilluar Kryeministri këto ditë në Dhërmi, sikur e kanë trazuar situatën dhe i kanë përfshirë në një qerthull ankthi korridoret partiake të pushtetit.

Skandali i kanabisit në Zallherr, duket se ishte më shumë një intrigë pallati sesa një rastësi.

Në korridoret e PS-së po flitet gjithnjë e më shumë këto ditë për një qilizëm të qeverisë në shtator; ku Edi Rama, duket se do të injektojë një serum politik para fushatës elektorale të vitit 2025.

Kyçi i kooptimeve të Ramës, që ka gjasa të mos presë fare shtatorin, por ta shpallë një javë ose dy javë më vonë është shkrirja e të ashtuquajturave “Super ministri”.

Kështu mësohet se do të ndahet ministria e Belinda Ballukut, ajo e Ogerta Manastirliut, si dhe ajo e Financave, duke krijuar 6 portofole: Energjetika, Transportet, Shëndetësia, Mbrojtja Sociale, Financa, Ekonomia, së cilës do t’i bashkohet edhe Turizmi që do t’i hiqet Mirela Kumbaros.

Ka shumë gjasa që ministria e Ekonomisë të quhet edhe Ministria e Bregdetit dhe menaxhimit të Turizmit, duke u kthyer kështu në dikasterin më të rëndësishëm të kabinetit.

Një tjetër emër që përflitet se do të largohet është edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, post që i është ofruar një ‘AS’-i nën mëngë të Edi Ramës që vjen nga një universitet i njohur në Britaninë e Madhe.

Pritet ndërkaq, që Elisa Spiropali të marrë një dikaster qendror, e si një argument më shumë për ngritjen e saj në ekzekutiv e thotë  fakti që ajo nuk u zgjodh kryetare e grupit parlamentar, post të cilin e mori Bledi Çuçi.

Mbrojtja, Turizmi e Transporti, janë alternativat e mundshme për Spiropalin, e cila deri tani është folur edhe si ministre e Jashtme, me largimin e pritshëm të Olta Xhaçkës.

Ndërkohë që për shefin e diplomacisë, po qarkullojnë hipotezat e një ambasadori me përvojë që sapo është kthyer nga një kryeqytet europian.

Por në këtë atmosferë, ku dezinformacioni është më i rëndësishëm se lajmi i saktë po qarkullojnë edhe zëra kontraversalë që tregojnë fiks luftën e dy grupeve kriminale brenda PS-së. Siç është mundësia që me ndarjen e ministrisë së Ballukut, ajo të mbajë transportin, e në energjetikë të kalojë Ardian Çela. Por gjasat janë që në këtë aspekt të ketë zhvillime drastike e Balluku të mbajë postin e zv.kryeministres pa portofol.

Këto ditë po flitet edhe për rikthimin e Erion Braçes në kabinet, e nuk është çudi që të marrë ministrinë e Bujqësisë, pas kleçkës së hetimeve të fondeve të BE-së.

Enigma gjithashtu është ministria e Financave, Delina Ibrahimaj, të cilën e shkarkuan pak kohë më parë mediat e afërta me Belinda Ballukun.

Ideja e Ramës është një infuzion politik para Kongresit të PS-së që zhvillohet në vjeshtë, për të parandaluar një përplasje të madhe, e cila u paralajmërua edhe nga ish-ministri Fatmir Xhafaj. Po gjithsesi, takimet misterioze që ka zhvilluar Rama këto ditë në Dhërmi, sikur e kanë trazuar situatën dhe i kanë përfshirë në një qerthull ankthi korridoret partiake të pushtetit.

Njerëzit tashmë e dinë që vendimet nuk dalin nga zyrat e pushtetit por nga jashtë, nga kthinat e klaneve të biznesit e allishverisheve ku vendoset gjithçka./Pamfleti

ministria e belindës ndryshimet e shtatorit ps kupola edi rama

Lini një Përgjigje