Zgjedhja e Fredi Belerit eurodeputet ka bërë bujë në mediat e huaja. Për shumë prej tyre, është i habitshëm fakti se u zgjodh një person që ndodhet në qeli. Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) i ka bërë jehonë zgjedhjes së tij, duke i renditur edhe akuzat dhe bëmat ndër vite. Lajmi është pasqyruar edhe te revista amerikane Barrons. Po ashtu edhe shumë media të tjera kanë vënë në pah faktin se Beleri dikur është kapur me armë dhe është dënuar nga grekët, ndërsa tani ndodhet në qeli për blerje votash.
Një kryebashkiak i zgjedhur shqiptar, i burgosur për blerje votash ka fituar një vend në Parlamentin Evropian, me partinë konservatore në pushtet të Greqisë.
Fredi Beleri, një shtetas shqiptar etnik grek, u dënua në mars me dy vjet burg për blerje votash, përpara zgjedhjes së tij si kryebashkiak i qytetit shqiptar të Himarës.
Qeveria greke ka ngritur disa herë shqetësime për rastin e tij dhe Beleri u përfshi në listën e partisë në pushtet të Greqisë për zgjedhjet e BE-së këtë fundjavë.
Të dielën, ai mori mbi 238,000 vota dhe do të jetë një nga 21 eurodeputetët e Greqisë, shtatë prej të cilëve u zgjodhën në listën e partisë konservatore Demokracia e Re e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Pakica etnike greke e Shqipërisë, e cila jeton kryesisht në jug, ka qenë një burim i shpeshtë tensionesh midis Athinës dhe Tiranës, me Greqinë që shpesh pretendon se Shqipëria shkel të drejtat e saj, një akuzë e refuzuar nga Tirana.
Në qeli gjatë 13 muajve të fundit, 52-vjeçari Beleri ka thënë vazhdimisht se arrestimi i tij ishte i motivuar politikisht. "Krimi im është se ne në Himarë duam të jemi zotër të tokës stërgjyshore. Krimi im është që bashkatdhetarët e mi më zgjodhën kryetar bashkie kundër planeve të kryeministrit shqiptar Edi Rama", tha ai në momentin e dënimit. Rama i ka hedhur poshtë akuzat si “delirante”.
Çështja Beleri ka shkaktuar fërkime mes Athinës dhe Tiranës, ku qeveria greke shpreh shqetësimin “për paanshmërinë e proceseve ligjore”.
Në një deklaratë në mars, ministria e Jashtme greke e quajti dënimin e tij prej dy vitesh "qartësisht joproporcional me masën e veprës së pretenduar". Majin e kaluar, Athina paralajmëroi gjithashtu se rasti mund të ndikojë në përpjekjet e Shqipërisë për pranimin në BE. Tirana këmbëngul se Beleri ka një të kaluar të errët, duke përfshirë lidhjet me ekstremistët.
Në vitin 1995, ai u arrestua në kufirin e shqiptaro-grek së bashku me gjashtë burra të tjerë, me arsenal armësh në makinë.
Beleri në vitin 1997 u dënua nga një gjykatë greke me kusht për armëmbajtje, dënim i cili më pas u hoq në Apel. /Përshtati “Pamfleti” nga “AFP”
Lini një Përgjigje