TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Qershor 2024, 18:07

Mitsotakis telefonon në qeli Fredi Belerin, cili do të jetë tani fati i eurodeputetit të ri grek dhe a do të rindizen tensionet Tiranë-Athinë?

Shkruar nga Pamfleti
Mitsotakis telefonon në qeli Fredi Belerin, cili do të jetë tani
Beleri-Mitsotakis

Shqipëria është jashtë BE dhe zgjedhja e Belerit në PE nuk ndikon fare te autoritetet. Pra ai do qëndrojë në qeli derisa të kryejë dënimin, teks pritet dhe vendimi i Apelit...

Zgjedhja e Fredi Belerit eurodeputet ka bërë bujë në mediat greke dhe ato shqiptare. Vota për të është cilësuar nga grekët si një votë kundër Shqipërisë, pasi sipas tyre, po mban në qeli Belerin padrejtësisht.

Megjithatë nuk ka munguar as lëvizja e Kyriakos Mitsotakis. Sipas mediave greke, ai ka pasur sot një telefonatë me Fredi Belerin, për ta uruar për suksesin e tij në zgjedhjet evropiane. Ndërkohë nesër kryeministri grek do të mbajë një takim me 6 eurodeputetët e tjerë të partisë së tij: Giorgos Autias, Evangelos Meimarakis, Eliza Vozeberg, Eleonora Meletis, Manolis Kefalogiannis dhe Dimitris Tsiodras.

Fredi Beleri ndodhet në qeli që një vit më parë, pasi akuzohet për blerje votash. Gjykata e ka dënuar atë me 2 vite burgim, ndërkohë rasti ka kaluar në Apel. Me zgjedhjen e tij eurodeputet, situata komplikohet, pasi do të rikthehen tensionet Athinë-Tiranë. Greqia do të nisë presionet për ta liruar, me pretekstin se po mbahet në qeli një eurodeputet.

Nga ana tjetër, Shqipëria është jashtë BE dhe zgjedhja e tij në PE nuk ndikon fare te autoritetet. Që do të thotë se ai mund ta gëzojë mandatin në PE vetëm pasi të dalë nga qelia. Po ashtu atij duhet t’i hiqet e drejta për të qenë kryebashkiak, duke qenë se eurodeputetët nuk mund të mbajnë post tjetër. Kjo do të thotë se tani hapet rruga e zgjedhjeve të reja në Himarë, pa pritur vendimin e Apelit.

E shkuara e errët e Fredi Belerit

Fredi Beleri, është një ekstremist, i cili gjithmonë ka punuar kundër shqiptarëve. Edhe pse pretendon se është minoritar grek, në fakt edhe ai e di se nuk ka grek në Himarë, sidomos me emrin Alfred. Megjithatë, ai mban mbi shpinë masakrën e Peshkëpisë.

Pavarësisht akuzave ndër vite, Fredi Beleri u shfaq në shkallët e Prokurorisë për Krimet e Rënda vetëm në vitin 2019. Eugen Beci, në atë kohë prokuror, njoftoi nisjen e hetimeve ndaj politikanit ekstremist dhe në prani të dy oficerëve të Policisë Gjyqësore e mori në pyetje për tre orë.

Pas dëshmisë, atij ju komunikua zyrtarisht akuza për veprën penale “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.

Kjo akuzë ndaj Fredi Belerit kishte të bënte me ngjarjen e ndodhur në mëngjesin e hershëm të 10 prillit 1994, kur një formacion paraushtarak grek hyri nga toka në brendësi të kufirit të Shqipërisë dhe mori peng ushtarakët dhe komandantin e Postës Kufitare të Peshkëpisë.

Pavarësisht se Fredi Beleri e ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, një muaj më pas autoritetet greke ndaluan shtatë persona të dyshuar për ngjarjen në Shqipëri, të cilët ishin anëtarë të grupit paraushtarak "MAVI". Në momentin e ndalimit, këtyre personave ju gjetën dhe disa armë zjarri, të cilat sipas raporteve policore ishin armët që u ishin vjedhur ushtarakëve shqiptarë në Postën Kufitare të Peshkëpisë. Mirëpo, Gjykata e Athinës pas një muaj mbajtje në qelitë e paraburgimit, konstatoi se "provat nuk ishin të mjaftueshme".

Po ashtu dhe Krimet e Rënda më pas pushuan hetimet dhe e nxorën të larë Fredi Belerin. Kjo i hapi rrugë dhe kandidimit të tij në Himarë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje