TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Qershor 2025, 14:01

Nga beteja për dinjitetin, te roli si misionar; loja e Berishës që mban “peng” gjysmën e politikës

Shkruar nga Pamfleti

Nga beteja për dinjitetin, te roli si misionar; loja e Berishës

Nëse analizojmë periudhat kohore, betejën e dinjitetit, Berisha e zgjati për rreth dy vite, deri në momentin e marrjes zyrtarisht të vulës dhe logos. Rolin e misionarit të parë e zgjati për më pak se 1 vit, ndërsa duhet pritur se sa kohë do i zgjasë roli i misionarit të votës së lirë…

Në shtator të 2021, Sali Berisha në atë kohë vetëm me ofiqin e deputetit dhe ish-Kryeministrit nisi atë që do e cilësonte si beteja për dinjitetin. Gjithçka kishte lidhje me sanksionin “non grata” që iu dha nga SHBA 3 javë pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe me një vendim të Lulzim Bashës për ta larguar nga Grupi Parlamentar.

Më 16 shtator, një datë që gjatë komunizmit përkujtohej Konferenca e Pezës, shënoi edhe ditën kur Berisha do të niste betejën për të marrë nën kontroll PD-në, që kishte si kryetar në atë periudhë Lulzim Bashën, të cilin vetë ish-kryeministri e “bekoi” për të qëndruar në detyrë edhe pas humbjes në zgjedhjet parlamentare.

Për pothuajse 5 muaj, Berisha zhvilloi ato që i pagëzoi me emrin “Foltore” që as më shumë e as më pak ishin takime qytet më qytet me mbështetësit e tij, ku kryefjala ishte cënimi i dinjitetit të tij, së pari nga Sekretari amerikan i Shtetit të asaj kohe, Anthony Blinken, dhe më pas nga Lulzim Basha. Dhe kryefjala në atë kohë ishte lobimi i George Soros.

Në 11 dhjetor të 2021 zhvilloi atë që e quajti Kuvendi i Rithemelimit të PD-së dhe një javë më pas thirri në një referendum anëtarësinë e partisë për ta njohur si kryetarin legjitim. Lulzim Basha gjithmonë e më shumë nisi të quhej ish-kryetar dhe një nga një ata që konsideroheshin mbështetës të tij në forume ose formësuan një grupim të tretë, që më pas iu bashkua Berishës, ose e “tradhëtuan” pak javë pas ngjarjeve të 8 janarit 2022, kur u bë edhe beteja për marrjen e selisë, mes një grupimi që ishte ngujuar brenda dhe mbështetësve të Berishës që tentonin të çanin dyert e blinduara.

Berisha tregoi me zgjedhjet e 2023-it se kishte kontrollin e plotë në elektoratin e PD-së, edhe pse nuk kishte ende siglën dhe vulën e partisë, por rezultati elektoral për pushtetin vendor ishte katastrofik. Ai arriti të marrë 5 bashki periferike, ku më e rëndësishmja është Kavaja, por duket se ky rezultat i mjaftoi për të marrë më pas vulën e partisë nga Lulzim Basha dhe grupimi i tij.

Ndonëse betejën për dinjitetin e nisi me “non grata-n” që edhe sot e kësaj dite e ka si sanksion amerikan, pasi mori vulën e PD-së, nuk u fol më për dinjitetin e nëpërkëmbur, duke u mjaftuar me faktin se Lulzim Bashën e kishte përzënë si “tradhëtar e besëprerë”, ndërsa ata që dikur i qëndronin në krah atij, tashmë i ishin bashkuar Berishës si “djem të urtë” që shikonin liderin e vërtetë që do i çonte në fitore.

Berisha vijon të jetë i sanksionuar nga DASH, pavarësisht pritshmërive të larta që krijoi pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump dhe emërimit të Marco Rubios si Sekretar i Shtetit. Madje edhe një lobim në SHBA deri më tani nuk i ka dhënë asnjë rezultat në këtë drejtim. Gjithsesi beteja për dinjitetin e nëpërkëmbur duket se ka përfunduar.

Tashmë Berisha ka marrë rolin e misionarit. U vetëquajt fillimisht si misionari që do të nxirrte shqiptarët nga varfëria, se nuk kishte asnjë interes personal përveçse atij të rikthimit të 3-të në qeveri për të realizuar arritjet më madhore. Ky mision i dështoi në 11 maj dhe menjëherë pas zgjedhjeve u vetëquajt misionari për votën e lirë.

Në pothuajse çdo deklaratë pas 11 majit, ai është shprehur se është si misionar që do të zhvillojë betejën për të rikthyer atë që e konsideron votën e lirë, duke mosnjohur rezultatin e zgjedhjeve dhe duke vijuar një seri denoncimesh, që sipas tij provojnë manipulimin.

Nëse analizojmë periudhat kohore, betejën e dinjitetit, Berisha e zgjati për rreth dy vite, deri në momentin e marrjes zyrtarisht të vulës dhe logos. Rolin e misionarit të parë e zgjati për më pak se 1 vit, ndërsa duhet pritur se sa kohë do i zgjasë roli i misionarit të votës së lirë.

Me shumë gjasë këtë rol mund ta mbajë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, pra të 2027-ës, dhe deri atëherë ndoshta do të shohim të tjera raste të pazareve politike ose jo, mes tij dhe Edi Ramës.

Në këto 4 vjet kemi parë disa të tilla, përfshi edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo amnistinë penale, për të mos përmendur pastaj aludimet apo akuzat për pazare në ndarjen e territoreve për leje ndërtimi.

Ajo që nuk dihet sot është se kur do të vendosë t´i japë fund lojës me role misionarësh, me të cilat tashmë po synon të zgjasë sa më shumë, mbajtjen nën kontroll të gjysmës së politikës, pavarësisht përqindjeve në sallën e Kuvendit. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje