Në prag të mbledhjes së përbashkët Shqipëri-Bashkimi Europian dhe nisjes së një faze të re të negociatave, deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar me një mesazh të gjatë për procesin e integrimit europian të vendit.
Përmes një deklarate publike, Spiropali e cilësoi momentin si një hap historik për Shqipërinë, duke theksuar se procesi i integrimit është rezultat i një rruge të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash.
“Nesër Shqipëria hyn në një fazë të re të rrugës së saj europiane, me hapin e parë drejt mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, një moment që nuk ka ardhur rastësisht, por pas një rruge të gjatë përpjekjesh, përplasjesh, pritjesh, durimi dhe një besimi të vazhdueshëm se vendi ynë i përket natyrshëm familjes europiane”, shprehet Spiropali.
Ish-ministrja e Jashtme nënvizon se integrimi europian nuk duhet parë vetëm si një proces teknik apo formal, por si transformim i thellë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
“Për Shqipërinë, Europa nuk ka qenë kurrë vetëm projekt politik apo diplomatik. Ka qenë dëshira për të ndërtuar një shtet më të drejtë e më demokratik, institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri ku të rinjtë nuk e shohin të ardhmen vetëm jashtë vendit”, deklaron ajo.
Në reagimin e saj, Spiropali ndalet edhe te sfidat që sipas saj Shqipëria duhet të përballojë përpara anëtarësimit në BE.
“Shqipërisë i duhet më shumë se entuziazëm. I duhet qartësi. I duhet guxim politik dhe qytetar. I duhet një platformë e saktë shtetërore dhe shoqërore për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë, një vizion i detajuar për institucionet, drejtësinë, ekonominë, arsimin, administratën dhe lirinë”, thekson deputetja socialiste.
Sipas Spiropalit, Shqipëria duhet të hyjë në Bashkimin Europian e përgatitur dhe me standarde të konsoliduara.
“Dita kur Shqipëria do të ndezë fishekzjarret e anëtarësimit nuk duhet të jetë fundi i një rruge, por dita kur Shqipëria është gati, pa frikë dhe pa improvizim, të ulet natyrshëm në tryezën e konfederatës së kombeve europiane”, përfundon reagimi i saj.
Reagimi i Spiropalit vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria pritet të zhvillojë takime të rëndësishme me përfaqësuesit e Bashkimit Europian në kuadër të avancimit të negociatave.
Rruga e Shqipërisë për në EU nuk ka qënë e gjatë. Bashkimi Europian ishte i gatshëm ta fuste Shqipërinë me njëherë në BE por politikanët tanë të shitur e hajdutë na sollën deri këtu. Dhe tani tallin bythën duke na u shitur si shpëtimtar,si partizanë të BE. As kanë dashur e as duan që të futemi në BE.