Detajet si do të çelet fushata zgjedhore....
Ditën e nesërme do të çelet zyrtarisht fushata elektorale. PS dhe PD kanë vendosur të prezantohen para publikut me aktivitete krejt të ndryshme.
PD ka vendosur të çelë fushatën nesër në orën 19.00, në një aktivitet te sheshi “Nënë Tereza”. Sali Berisha pritet të shfaqet krah strategut të fushatave amerikane, Chris LaCivita. Ky i fundit deri më tani ka qendruar në SHBA, por ka vendosur që këtë muaj të qendrojë në Tiranë dhe të ndihmojë Sali Berishën.
Por koincidencë ose jo, nesër Sali Berisha do të jetë sy e veshë nga Gjykata e Posaçme, pasi aty do të mbahet seanca e radhës për të vendosur nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja “Partizani”.
SPAK ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmenin Fatmir Bektashi, ortakun e Malltezit, Xhimi Begeja dhe financieren, Andia Pustina. Por edhe pse dosja ka shkuar që në fund të vitit që lamë pas për gjykim, nuk kemi asnjë vendim. Herën e fundit seanca u shty sepse mungoi një prej avokatëve.
Nëse seanca mbahet nesër, pasi çfarë nuk bën vaki, do të flasin prokurorët e çështjes, të cilët do të japin argumentet se përse kjo dosje do të shkojë për gjykim. Në fund gjyqtarja duhet të vendosë: të pushojë hetimet, ta kthejë dosjen për rihetim, ose ta kalojë për gjykim.
Ndërkohë Rama ka vendosur të vijojë me shoun. Pas marrjes së lopatave dhe mbjelljes së pemëve në zgjedhjet e 2023, PS ka vendosur që nesër të mbajë paralelisht 12 evente në çdo qark të Shqipërisë, ku fokusi do të jetë gruaja.
Aktivitetet do të vijojnë deri të shtunën, pasi në datën 12, ora 12.00, do të mbahet një aktivitet në sheshin “Skënderbej”, me trajtë festive. Rama deklaroi se e zgjodhi qëllimisht këtë datë: “12 prill, nga 12 qarqe, rreth 12 yjeve të Europës, në orën 12.00, familja jonë e madhe politike, mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv Shqipëria 2030 në BE”.
Deri më sot sondazhet favorizojnë PS, por Rama e ka shtuar oreksin. Ai ka porositur të vetët që të kapin 1 milionë vota në këto zgjedhje. Këtë gjë madje e tha hapur dhe në një takim sot pasdite në Durrës.
“Llogarinë do e bëjnë shqiptarët më 11 maj, ashtu siç duhet. Ndaj ne duhet të synojmë jo 800 mijë, por 1 milion vota. Ai duhet të jetë limiti që ne duhet të synojmë. Duhet të dalim nga 11 maji me më shumë se 900 mijë vota. Është e lehtë ta thuash por e vështirë ta bësh. Ne duhet të synojmë të marrim mandatin e nëntë të deputetit në Durrës”, tha ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje