Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar një problematikë ku njësia Bubullimë, fshati Imshtë në Lushnjë është shndërruar në skenën e një konflikti të hapur mbi tokën publike
Braçe publikoi një video në rrjetet sociale ku tregon situatën, duke akuzuar se bujqit po mbrojnë tokën e shtetit, ndërsa policia po vepron në krah të personave që kërkojnë të ndërtojnë panele fotovoltaike mbi këtë sipërfaqe.
Sipas Braçes, toka në fjalë shtrihet nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë dhe konsiderohet “tokë e lumit”, pra pronë publike, e patjetërsueshme dhe paparashkrueshme sipas ligjit “Për burimet ujore”. Ai akuzon se një rrjet institucioni publik dhe individësh ka shkelur ligjin në përpjekjet për të marrë në përdorim këtë tokë.
Deputeti bëri të ditur se një vit e gjysmë më parë kishte kallëzuar rastin në prokurori, dhe sipas tij çështja është ende nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ndërsa polica e Lushnjës po vepron në favor të personave që kërkojnë të përfundojnë “grabitjen e tokës”. Ai thekson gjithashtu se herë të tjera është konstatuar prezenca e policisë së shoqëruar nga individë të dyshuar, duke kërcënuar banorët dhe duke përmendur jetën e fëmijëve.
"Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?
Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme! Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin. Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore. Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?
Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?! Është e përsëritur kjo!
Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia! Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithccka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!", shkruan Braçe.
Lini një Përgjigje