Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ishte i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së kësaj partie në njësinë nr.3 në Tiranë, nga ku ka risjellë në vëmendje edhe batutat që gjatë fushatës elektorale tallej me burrat.
Në krah të Ogerta Manastirliut, që është edhe drejtuesja politike e socialistëve për Tiranën, të cilën Rama muaj më parë e lançoi edhe si kandidaten e PS-së për Bashkinë e Tiranës, kryeministri ka risjellë në vëmendje një batutë që e përdori në Dibër, duke i quajtur burrat çyrykë.Rama përdori këtë term referuar faktit se në njësinë nr.3, mbi 53 % e strukturave janë gra.
“Në këtë njësi, unë mendoj që arsyeja kryesore, me gjithë respektin për gjithë burrat këtu, po edhe po u mërzitën burrat, le të mërziten, se dhe unë burrë jam, kështu që e ndajmë mërzinë bashkë, arsyeja kryesore e rezultatit me rritje është fakti që këtu janë 53% gra. E patë Dibrën? M’u hodhën në fyt të gjithë ata: ‘Si i thua ti çyryk burrave të Dibrës? Po ta tregojnë ty burrat e Dibrës!’ Dibra u bë si me qenë Vlora. Nuk e di, për pak vota, nuk e di ekzaktësisht sa, por mund të merrnim mandatin e katërt. Pse? Sepse burrat, shumica, shkuan mbrapa grave”, tha Rama.

Batuta e Ramës mund të jetë edhe një mesazh për Erion Braçen, deputeti socialist që është vetëofruar si një kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës. Braçe ka deklaruar se pret një garë të brendshme në PS për përcaktimin e kandidatëve për Kryebashkiakë, duke folur për një proces të rregullt në të cilin duhet të fitojë ai që ka mbështetjen e strukturave.
Por në fakt procesi për të cilin Braçe shpreson ka mbi një dekadë që nuk ekziston më në Partinë Socialiste, ndërsa Edi Rama vulos gjithçka, pa pritur një vendimmarrje forumesh, të cilat në fakt thjesht presin të çertifikojnë atë që më parë ka firmosur Babloku.
Dhe nëse Rama e ka seriozisht se "fitoret" e PS janë më të sigurta kur gratë janë protagoniste, duket se të njëjtën strategji do të përdorë edhe në zgjedhjen e kandidaturës së socialistëve për Bashkinë e Tiranës.
I vetmi cyryk eshte Rama, Keto gra te frustruara po ndihmojne nje sharlatan