TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Mars 2026, 10:18

Molotovët në protestë, Berlini fshikullon Berishën: Distancohu, nuk përligjim aktet e dhunshme

Shkruar nga Pamfleti
Molotovët në protestë, Berlini fshikullon Berishën:
Pamje nga protesta e PD

Ambasada gjermane në Tiranë thekson se protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike, ndërsa shton se nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve

Berlini ka fshikulluar kreun demokrat, Sali Berisha, disa orë pas protestës së mbajtur pasditen e së dielës në Tiranë, ku dhjetra molotovë u hodhën nga demostruesit, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë turmën.

Për herë të parë në një protestë të opozitës së dretuar nga Sali Berisha, protestuesit mbanin flamuj të Gjermanisë, duke zëvendësuar ato amerikanë, që kanë qenë prezent në protestat e mëparshme. Kjo u interpretua me mbështetjen që opozita ka marrë gjatë takimeve që deputetë të saj zhvilluan në ditët e fundit në Berlin, por jo vetëm.

Gjithashtu kjo ishte një shenjë që Berlini zyrtar e kishte kushtëzuar rrugëtimin e Shqipërisë në BE me arritje konkrete, më konkretisht shtetin ligjor dhe mospërdorimin e imunitetit politik për tu mbrojtur nga drejtësia.

Por pavarësisht mbështetjes apo mesazheve që iu janë dhënë deputetëve të PD-së në Berlin gjatë vizitës dy apo tre ditore që bënë në Bundestag, duket se Gjermania nuk mbështet aspak aktet e dhunshme.

Në reagimin e saj, Ambasada gjermane në Tiranë thekson se protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike, ndërsa shton se nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve.

Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, thuhet në reagimin zyrtar.

Dhe ky reagim është plotësisht i njëjtë me thirrjen që më herët ishte bërë nga PPE, grupimi më i madh në Parlamentin Europian, që zyrtarisht dhe privatisht, i ka kërkuar demokratëve të Berishës që të heqin dorë nga aktet e dhunshme gjatë protestave. Kur mendohej se këto mesazhe do të merreshin parasysh nga demokratët dhe pritej një ndryshim strategjie, në protestën e djeshme, pati një shtim të molotovëve në krahasim me protestat e mëparshme, dhe i vetmi ndryshim ishte se flamujt e SHBA u zëvendësuan nga ato të Gjermanisë. /Pamfleti/

 

gjermania berisha protesta

1 Komente

  1. M
    Moza

    A nuk u "dogj" Parisi per disa cent qe u rrit nafta?

    Lini një Përgjigje