
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, teksa po fliste për gazetarët gjatë Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, ceku edhe marrëdhënien me Shqipërinë si dhe projektet në interes të dy palëve.
Edhe pas lirimit të Fredi Belerit, Greqia vijon të kërkojë të mbajë ‘peng’ Shqipërinë në BE me çështjen e pronave të minoritetit grek në Himarë.
Kryeministri grek theksoi se Greqia do të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por i dërgoi mesazh Ramës, se pa përmbushur kërkesat e Greqisë, s’ka BE për Shqipërinë.
Ndër të tjera pas 19 vitesh ministria e Transportit dhe ajo e Infrastrukturës kanë aprovuar fillimin e punimeve të aksit rrugor Janinë-Kakavija, i cili është shumë i rëndësishëm për lëvizjen e mijëra automjeteve çdo ditë drejt dy vendeve.
Pyetja: Dhe gjëja tjetër që doja t'ju thoja zoti kryeministër është se cilat janë marrëdhëniet tuaja me Edi Ramën tani, pas aventurës së Fredi Belerit. Ai madje deklaroi se marrëdhëniet tuaja janë strategjike. “Marrëdhëniet tona”, thotë ai, “të Shqipërisë me Greqinë janë strategjike”.
“Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë , përfshi edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtare dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.
Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë , pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.
Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht.
Dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”, u shpreh Mitsotakis.
Lini një Përgjigje