Në Ministrinë e Jashtme greke, por edhe brenda Demokracisë së Re, pati kundërshtime për një kandidaturë të Belerit në zgjedhjet europiane...
Fredi Beleri duket se do të dergjet burgjeve, pasi Athina e ka braktisur. Edhe pse u shërbeu me devotshmëri, pas vendimit të gjykatës për ta dënuar me 2 vite burg, duket sikur Athina është tërhequr. Fillimisht u hoq dorë nga vetoja për integrimin e vendit tonë, teksa sot Beleri ka marrë një tjetër goditje.
Në mediat greke u deklarua se ai do të kandidohej për eurodeputet nga partia e Mitsotakis, por duket se nuk ka për të ndodhur kështu. Sipas mediave greke, partia në pushtet ka arritur në përfundimin se Fredi Beleri nuk do të përfshihet në fletën europiane të Demokracisë së Re.
Zyrtarisht nga kampi qeveritar thonë se ende nuk janë marrë vendimet përfundimtare, por informacionet flasin se lidershipi blu po anon përfundimisht drejt vendimit për të mos kandiduar kryebashkiakun e Himarës që ndodhet në paraburgim, raportojnë mediat greke.
Po sipas tyre, në konferencën e Demokracisë së Re të shtunën e kaluar ka qenë edhe djali i Fredi Belerit, Petros, i cili është fotografuar me ish-ministrin e Shtetit, Stavros Papastavrou. Ky i fundit vizitoi Shqipërinë nëntorin e kaluar dhe u takua me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë në burgun e Durrësit. Papastavrou u trajtua si nismëtar i një kandidature të Belerit për eurodeputet.
Por sipas “News24/7” në Greqi, në Ministrinë e Jashtme, por edhe brenda partisë, pati kundërshtime për një kandidaturë të Belerit në zgjedhjet europiane. Mes kundërshtuesve thuhet se janë ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, zv.ministrja e Jashtme Alexandra Papadopoulou dhe ministri i Shtetit, Akis Skertsos.
Arsyetimi i tyre ishte se së pari, përfshirja e tij në listën blu do të kthehej në një çështje dypalëshe që Athina e konsideron europiane, pasi i bën thirrje Shqipërisë të lirojë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në mënyrë që procesi i anëtarësimit në BE të vazhdojë.
Në kampin blu ka pasur edhe zëra që shprehin shqetësimin se një kandidaturë e Beleris do të dobësonte pretendimet e minoritetit grek në Shqipëri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje