Një kala e izoluar prej bindjesh të paarsyeshme politike, nuk i duhet dhe as i shërben askujt. Filozofia "o me mua, o kundër meje", i ka bërë dëme të pakthyeshme Shqipërisë këto 30 vite. Shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë, siç shkodranët e mençur e kuptuan...
Shkodra e tregoi qytetarinë e saj, zgjodhi me zgjuarsi. Ajo që këto 30 vjet është përfolur si "kalaja e pamposhtur e së djathtës", duke u trajtuar gati-gati si mit, si porta e vetme ku e majta nuk do të mund të hynte dot kurrë, si qyteti që për hir të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes nuk do të mundte kurrë të votonte për një socialist, sot i ka dhënë Shqipërisë një leksion të çmuar.
Kushdo që i ka dy pare mend, politikan ose jo, duhet të ulet dhe të reflektojë mbi atë që ndodhi në Shkodër. Çdo shqiptar duhet, në mos ta studiojë, të tregojë vëmendje mbi atë që ndodhi në Shkodër.
Qyteti i bukur verior, i lashtë, ai i historisë dhe kulturës, na dha një mësim të madh: Mitet thyhen dhe e pamundura ndodh... Duhet vetëm alternativa e duhur dhe njerëzit dinë të zgjedhin.
Po, po, sado të lodhur e të pashpresë të jenë, shqiptarët, kur janë përballë alternativës së duhur, dinë të zgjedhin.
Nga sot, askush nuk mund te thotë të kundërtën.
Në Shkodër fitoi Benet Beci. Deri dje, i madh e i vogël mund të betohej për të kundërtën. "Një i majtë në Shkodër, një i zgjedhur nga komunistët", kurrë. Kështu thonin kundërshtarët e flaktë të së majtës, por edhe përkrahësit e saj.
Fitorja e Benet Becit dukej e pamundur.
Por, pse ndodhi kjo? Si u krijua ky precedent që dhëntë Zoti përsëritet në çdo qytet të Shqipërisë dhe në të gjitha llojet e zgjedhjeve, vendore a parlamentare qofshin!
Beneti rezultoi të jetë përjashtim nga rregulli, sepse është Benet Beci. Pinjoll i një familje me rrënjë të thella në kulturë dhe dije. Pra, edhe ai nuk mund të jetë ndryshe përveçse si paraardhësit e vet.
Benet Beci fitoi sepse ofroi një tjetër model në këtë fushatë. Nuk pranoi as tallavanë, as premtoi qiellin dhe yjet dhe as shau e ofendoi njeri.
Beneti ofroi pozitivitet dhe, në këto kohë të trazuara, për këtë kanë nevojë të gjithë. Benet Beci fitoi sepse e njeh Shkodrën, siç njeh gjithë Shqipërinë. Me një karrierë të jashtëzakonshme ai ka në jetëshkrimin e vet përgatitje profesionale si askush tjetër.
Beneti krijoi të parin dhe të vetmin model koorporate në Shqipëri, Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ai e di se ku është pika e dobët e çdo zone në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër. Siç e di edhe çdo shkodran që jeton aty. Ketë premtim bëri Beneti; do të investojë aty ku Shkodra ka nevoje. Një Benet si ai, mund ta bëjë.
Prandaj shkodranët i besuan.
Benet Becin u munduan ta sulmojnë. E zakonshme në Shqipëri, akoma më normale në kohë fushatash. I thanë që ka qenë demokrat, që ka punuar edhe me Saliun, edhe me Edin. Pra i pabesë! Por a nuk është ruajtja e ekuilibrave një nga aftësitë më të jashtëzakonshme të njeriut. Ata që me këtë deshën ta sulmonin, vetëm sa i nxorën në pah një meritë të madhe Benet Becit; aftësinë për të qenë objektiv e profesionist në çdo kohë. Aftësinë për të administruar pushtetet me zotësi e pa shkelur askënd.
Shkodranët e kuptuan këtë me kohë dhe e fituan Benetin. Fundja një kala e izoluar prej bindjesh të paarsyeshme politike, nuk i duhet dhe as i shërben askujt. Filozofia "o me mua, o kundër meje", i ka bërë dëme të pakthyeshme Shqipërisë këto 30 vjet. Shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë, siç shkodranët e mençur e kuptuan.
Shkodra dje theu një mit dhe i dha një leksion të madh Shqipërisë. Zgjodhi njeriun e fisëm, me sqime, atë me kulturë që as shan, as fyen, as tundet e shkundet nën ritme që nuk i kupton dhe nuk i ka të vetat. Zgjodhi njeriun që ia njeh dhimbjet dhe që mund ta shëroje. Shkodra dje i ktheu vetes shkëlqimin e dikurshëm.
Le të shërbejë ky model për sot dhe përgjithmonë.../Pamfleti
Lini një Përgjigje