
Në ditën e fundit të vitit të kaluar, Ervin Salianji bëri një shfaqje surprizë në selinë e PD-së, ku nuk shkelte prej dy vitesh, që kur aty u vendos Sali Berisha. Po aq surprizë ishte dhe qendrimi i tij. Bashkim i opozitës, solidarizim me Sali Berishën për arrestimin e padrejtë.
Ndryshimin e qëndrimit, deputeti demokrat, i ndarë prej kohësh edhe me Lulzim Bashën, e shpjegoi në emisonin “Pa Censurë”, duke analizuar situatën ku ndodhet sot opozita.
“Qeveria ka qëllim asgjësimin e opozitës, prandaj reagimi ynë duhet të jetë bashkimi. Opozita sot është në gjendjen e saj më të vështirë dhe në këto kushte duhet bërë çdo përpjekje, duke ceduar nga vetja, duke tejkaluar dhe veteten, për të mos lejuar zhbërjen e PD-së,” tha Salianji.
Ai këmbënguli në idenë e kahershme se PD ka nevojë për rinovim, për drejtim nga një brez i ri dhe për qasje tjetër politike.
Por, duke pranuar Sali Berishën si faktor elektoral të patjetërsueshëm me mbështetjen e faktuar më të madhe ndër demokratë, Ervin Salianji shfaqet i kujdesshëm, kur sjell në vëmendje edhe një faktor tjetër madhor që i duhet opozitës në përballjen e saj me qeverinë.
“Është jetike për PD që të bëjmë gjithçka është e mundur që marrëdhëniet me SHBA t’i ketë në nivelin më të mirë, të kemi marrëdhënie sa më të mira”, tha Salianji.
Por si mund të ndodhë kjo, kur kreu i opozitës është shpallur non grata nga SHBA? Ervin Salianji përgjigjet: “Duke patur gjithë komunikimet e domosdoshme dhe duke bërë gjithçka është e mundur që ne, me kalimin e kohës të gjejmë mekanizmat për rikuperim. Qendrimi është ndaj një personi të caktuar, Sali Berishës, i cili i ka marrë votat duke patur edhe këtë kosto në kurriz. Në këto kushte ne nuk kemi mundësi të mundim Edi Ramën, veçse duke bërë bashkë të gjithë mendimet e ndryshme, ngjyrimet që kemi, të bashkohemi në diversitet.”
Ka një person që Ervin Salianji nuk e sheh të mundur të bashkohet me opozitën.
“Çdo demokrat që nuk i është bashkuar opozitës, duhet të bashkohet, po nuk e shoh që Lulzim Basha e ka këtë dëshirë apo qëllim, sepse shoh një përpjekje të tij për t’u bërë pjesë e qeverisë,” u shpreh deputeti i opozitës.
Ervin Salianji, beson se opozitarët kanë vetëm dy rrugë për të zgjedhur: ose të bëhen bashkë kundër Edi Ramës, ose të bëhen shërbëtorë të kryeministrit.
Në situata të ndryshme, Ervin Salianji është dalluar prej shumë deputetëve të tjerë për idetë dhe argumentat konkretë në mbrojtje të tyre.
I tillë ishte rasti edhe kur u pyet, nëse mbështet bashkimin e PD përmes shkrirjes së grupit të deputetëve me strukturat partiake apo bashkimin përtej fraksionit.
“Personalisht, mendoj që duhet një formë, ku të mos kemi një ndarje të dukshme, siç është fraksioni. Mund të qendrosh brenda strukturave të PD duke patur mendim ndryshe. Mund të qendrosh duke krijuar hapësira dhe duke përfaqësuar njerëz të tjerë, të cilët na ndjekin dhe kanë besim tek ne. Nuk kemi pse këta mbështetës t’i identifikojmë si pakicë. Megjithatë, edhe idea e fraksionit nuk përjashtohet. Mendimi im është që ne të kemi bashkim dhe pas bashkimit të kemi një rikonceptim të opozitës,” tha Salianji, sipas të cilit izolimi i Sali Berishës nuk e pengon këtë proces, pasi ai e po e ushtron aktivitetin në forma të ndryshme.
“Nëse ka vullnet, bëhet bashkimi, bëhet hapja dhe jepet mundësia që gjithësecili të integrohet dhe bashkohet në PD,” u shpreh Ervin Salianji.
Me idenë se PD duhet të reformohet, pjesë të këtij ndryshimi, deputeti demokrat përfshin edhe ndryshimin e emrit të Partisë Demokratike.
“I qëndroj mendimit se PD, për shkak të përplajses së fortë që kemi patur me njëri-tjetrin duhet të transformohet dhe të ketë edhe një emërtim të ri madje, duke hequr çdo negativitet prej saj. Nuk dua të bëj orakullin, por gjyqi i PD ka për të zgjatur sa të jetë Rama në pushtet. Nuk është sigla që na bashkon, janë njerëzit, janë idetë. Prandaj duhet të kalojmë në këtë vendimarrje, nëse në Gjykatën e Apelit nuk ka në zgjidhje të shpejtë,” tha Ervin Salianji
Lini një Përgjigje