
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku 41 vjeçarja Bedrie Loku, nënë e katër fëmijëve, vrau veten për shkak të bullizmit në rrjetet sociale.
Spiropali thekson se denoncimet për krimet kibernetike dhe kërcënimet online duhet të trajtohen me seriozitet maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.
Ajo shton se legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror.
“Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale.
Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi!
Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetëvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë!
Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shumë proporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore.
Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria.
Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.
Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë!”, shkruan Spiropali.
Lini një Përgjigje