Foltorja është vënë në lëvizje pas izolimit të Sali Berishës në banesë. Gjatë ditëve të fundit ka pasur tubime poshtë apartamenti të Berishës, por duket se nuk do të jetë vetëm ky skenari i mbështetësve të tij.
Sipas informacioneve, nesër “Rithemelimi” ka thirrur një mbledhje Kryesie, e cila do të drejtohet nga Flamur Noka. Ai ka informuar anëtarët e saj që të marrin pjesë, teksa në fokus do të jetë situata politike dhe reagimi opozitar.
Sipas informacioneve, aty do të diskutohet mbi mënyrën e reagimit në nisje të sesionit të ri parlamentar. PS ka vendosur përjashtim deri në 2 muaj për ata që shkaktojnë trazira dhe “Foltores” i duhet një strategji e re. Por diskutimi më i gjatë pritet të jetë sa i takon izolimit të Berishës. Ky i fundit sot kërcënoi me protesta duke kërkuar reagim popullor. Edhe në Kryesi pritet që të diskutohen skenarët e reagimit për të përshkallëzuar qëndresën.
Berisha sot vijoi traditën duke dalë në dritare, teksa kërcënoi kryeministrin me përmbysje.
“Kjo është një protestë e shenjtë, e shenjtë sepse e shenjtë është fjala e lirë. Sot ne jemi këtu në protestë për fjalën e lirë. Një nga martirët e gjallë të fjalës së lirë, Salman Rushdie thotë se fjala e lirë është gjithçka, është vetë jeta.
Pa fjalën e lirë nuk mund të jesh kurrë njeri me dinjitet. U drejtohem sot qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe sot kjo protestë duhet të jetë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Mos u mërzitni, mos u lodhni e mos u trembni. Sot paratë e drogës, falangat e krimit që kanë pushtuar çdo institucion vërtet mbjellin frikë e terror, por ata e bëjnë këtë vetëm se nuk ngrihemi ne. Në momentin që ne ngrihemi nuk ka tunel e vrimë më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë e as në Shqipëri!”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje