Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar mbledhjen e anëtarëve të kryesisë së partisë socialiste e cila pritet të zhvillohet më 26 korrik.
Ai tha se në këtë mbledhje kryeministri Rama mund të largojë nga qeveria disa nga ministrat të cilët po hetohen nga SPAK.
Ai tha se kryeministri gjithnjë i ka dalë në parapri lëvizjeve të SPAK, duke lëvizur personat të cilët rrezikojnë të dalin para “bankës së të akuzuarve”, nga pozicionet ministrore, ndaj Spahiu parashikon ndryshime rrënjësore në qeveri.
“Rama gjithmonë ka bërë një lëvizje para SPAK-ut. Sa herë që ka parë një apo dy ministra që rrezikojnë burgun, ai i ka lëvizur nga pozicionet ministrore, në mënyrë që kur ata të jenë para bankës së të akuzuarve, të minimizohet kostoja politike dhe të sfumohet disi përplasja politike.
Kështu ka ndodhur thuajse në të gjitha rastet kur qeveria socialiste ka nuhatur se njerëzit kanë rënë në rrjetën e drejtësisë. Unë parashikoj se asambleja socialiste do t’i paraprijë me ndryshime rrënjësore në qeveri.
Tashmë kemi disa ministra të tjerë të dyshuar për afera korruptive, qoftë për inceneratorët qoftë me afera të tjera që lidhen me privatizime apo koncesione, përfshirë rastin e fundit të ministres së bujqësisë, e cila u bë objekt i pezullimit të projektit të Bashkimit Europian”,-tha Kreshnik Spahiu.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thirrur mbledhjen e asamblesë së PS-së më 26 korrik.
Mbledhja do të zhvillohet të mërkurën ora 17:30, në Tiranë. Asambleja është organ vendimmarrës i PS.
Burime nga PS paralajmërojnë një fjalë të gjatë që do të mbajë Rama në asamble dhe nuk përjashtohet mundësia e lëvizjes së drejtuesve të PS në qarqe, gjithashtu mund të paralajmërohen edhe ndryshime në ekzekutiv për në muajin shtator.
Emërimi i Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme ishte planifikuar për t’u bërë gjatë muajit shtator, por ngjarja e rënde e bandës së socialistëve të Fushë Krujës e përshpejtoi atë.
Olta Xhaçka, Delina Brahimaj, Frida Krifca pritet të jenë 'koka' që mund të hajë Asambleja e korrikut. Por nuk është çudi edhe Balluku të jetë njëra prej surprizave.
Lini një Përgjigje