Teksa ka mbetur edhe dy orë nga përfundimi i votimeve për kreun e Bashkisë së Rrogozhinës, pjesëmarrja e regjistruar deri më tani, e ka tejkaluar atë të 14 majit.
Mësohet se aktualisht, pjesëmarrja në votime është 32.47%, teksa më 14 maj në total votuan 32.02%.
Por ndryshe nga zgjedhjet e 14 majit, sot nuk do të votojnë të burgosurit.
Kujtojmë që në garë për kreun e ri të bashkisë janë dy kandidatët Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Votimi nisi me disa probleme, për shkak të fotografimit të votës nga një çift bashkëshortësh në qendrën e votimit 22-23, ç’ka çoi më pas edhe në ndërprerjen e procesit për disa minuta.
Për këtë incident reagoi menjëherë edhe Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili tha se shqetësim mbetet edhe votimi familjar.
“Fotografimi i votës përbën një shkelje të rëndë të ligjit penal, ka sanksione dënimi që shkojnë deri në 3 vjet. U bëj thirrje të gjithë votuesve që t’i shmangen çdo lloj joshje nga subjektet për t’u treguar atyre se për kë kanë votuar. Ata rrezikojnë shumë në këtë rast. Votimi familjar gjithashtu përbën shkelje. Ky është një problem, sa të kemi mundësi do ta adresojmë.”, u shpreh ai.
Votimi nisi në orën 07:00 të mëngjesit në 55 qendrat e ngritura, për t’u mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes.
Në zgjedhje janë thirrur rreth 33 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Lini një Përgjigje