
Partia Demokratike ka rihedhur në skenë idenë e ngritjes së Komisionit Parlamentar të së Vërtetës.
Ishte Sali Berisha ai i cili e artikuloi pak kohë më parë këtë ide, por deklarata e tij u mor si një sinjal se PD do të bëhej pjesë e komisionit “Xhafaj”. Por demokratët janë për një komision tjetër, i cili këtë herë propozohet duke marrë shkas nga vrasja në Shkodër.
“Partia Demokratike qëndron fort pas propozimit për Komisionin Parlamentar të së Vërtetës. Vetëm duke zbuluar dhe dënuar lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim rrethi i vdekjes dhe terrorit do të ndalet. Të pafajshmit e Shkodrës, dhe viktima të tjera atentatesh në të gjithë vendin, duhen rehabilituar, më së pari duke zbuluar dhe dënuar fajtorët.
Së dyti, duke siguruar se nuk ka amnisti për ata që kanë ua kanë shitur partnerëve në krim rendin dhe sigurinë publike, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Pa një qeveri teknike asnjanëse, kjo amnisi nuk do të ndalet sepse do të vazhdojë përdorimi i bandave në zgjedhje dhe më pas dëmshpërblimi i tyre me territore dhe liri lëvizje e veprimi”, thekson PD në një deklaratë për mediat.
Më tej PD është ndalur te vdekja dje e Bashkim Bashës, viktima e katërt e atentatit. Sipas saj, përgjegjësia e asaj ngjarje rëndon mbi shpatullat e Edi Ramës. Selia blu shprehet se qeveria është e lidhur kokë e këmbë më krimin.
“Gjaku i katër të vrarëve në lagjen Dobraç duhet të rëndojë mbi shkaktarët e vërtetë, pushtetin e inkriminuar të Edi Ramës, që mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me bandat.
Terrori i 30 tetorit, kundër të cilit opozita dhe qytetarët e Shkodrës organizuan marshimin e protestës më 2 nëntor, i ka rrënjët pikërisht te leja që pushteti u jep bandave për të vepruar të lira, pasi narko-kriminelët e kanë ndihmuar të rrëmbejë zgjedhjet.
Pas vjedhjes të zgjedhjeve bandat kërkojnë edhe sigurinë, jetën, qetësinë dhe rendin e Shkodrës dhe të Shqipërisë e qytetarëve shqiptarë”, shprehet PD.
Lini një Përgjigje