TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Qershor 2023, 14:56

Marifeti i Ilirjan Celibashit: Në KQZ zhduken 360 mijë Fletë-Votimi të prodhuara rezervë

Shkruar nga Pamfleti

 

Marifeti i Ilirjan Celibashit: Në KQZ zhduken 360 mijë
"Urithi" i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi

Zyra e materialeve zgjedhore në KQZ nuk është vjedhur, por edhe nëse këto 360 mijë Fletë-Votimi do t’i kishte ngrënë miu, do kishte lënë mbetje, ndërsa “urithi i zgjedhjeve” Ilirjan Celibashi, nuk ka lënë as 1 copë letër për shenjë

Më 14 maj, përveç dështimit të procesit nga ana administrative e infrastrukturore, u zbuluan dhe aferat korruptive, që Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me fondet 32 milionë Euro, për pajisjet e identifikimit, për votimit elektronik në Elbasan, Kamzë e Vorë dhe transferimin të dhënave nga qendrat e votimit në KQZ.

Një informacion nga zyra e pushtetit lokal në Ministrinë e Brendshme, tregon se punët e pista të Ilirjan Celibashit, nuk janë vetëm pazaret financiare me tenderët, por dhe mos ruajtja e fletëve të votimit për kandidatët e partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Bëhet fjalë për zhdukjen e 360 mijë Fletë-Votimi, të prodhuara rezervë për çdo rast emergjence të dëmtimit, grabitjes gjatë transportit, mos funksionimit  të votimit elektronik, ose për shkaqe të tjera që parashikon Kodi Zgjedhor.

Gjatë magazinimit të materialeve pas-zgjedhore të 14 majit, kjo sasi fletësh votimi, konkretisht 180 mijë për 61 kandidatët e bashkive dhe 180 mijë për partitë politike, nuk kanë qenë gjendje në KQZ, te zyra materiale e “dyllosura” nga kryetari Ilirjan Celibashi dhe përfaqësuesi i pushtetit lokal të Ministrisë së Brendshme.

Sipas Kodit Zgjedhor, këto Fletë Votimi rezervë, mund të futeshin në përdorim me vendim të Komisionit Rregullator të KQZ, por ky komision kishte autorizuar kryetarin Ilirjan Celibashi, për efekt të nevojave emergjente e shpejtësisë së dërgimit të tyre nëpër KZAZ ditën e votimit.

Më 14 maj, këto Fletë-Votimi rezervë nuk u përdorën, mbasi nuk pati dëmtime apo grabitje të tyre gjatë transportit, por edhe për faktin, se në zgjedhje morën pjesë 37% e votuesve dhe mbetën stok afro 1.9 milionë Fletë-Votimi për kandidatët e partitë politike.

Qendrat e votimit dhe KZAZ-të i dërguan në rregull fletët e votimit, por në KQZ janë zhdukur 360 mijë fletët e votimit që ishin rezervë, mungesa e të cilave është përgjegjësi administrative, financiare dhe penale e kryetarit Ilirjan Celibashi.

Në disa video të publikuara ditën votimeve e më pas, u panë komisionerë, operatorë pajisjesh elektronike, roje, vëzhgues qendrash votimi dhe drejtorë e “të fortë” të pushtetit, që fusnin tufa me Fletë Votimi jashtë sistemit.

Mungesa e tyre është kaluar në heshtje të plotë mirëkuptuese në KQZ, sikur të jetë zhdukur ndonjë biletë filmi a stadiumi, ndërsa kryetari Ilirjan Celibashi, urdhëroi vartësit të bënin një proces-verbal që i konsideron “të humbura”.

Por nuk dihet, si humbën brenda zyrës së materialeve zgjedhore të KQZ, kur çelësin e saj kanë vetëm Celibashi dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme si palë siguruese.

Edhe nëse këto 360 mijë fletë votimi do t’i kishte ngrenë miu, do kishte lënë mbetje, ndërsa “urithi i zgjedhjeve” Ilirjan Celiobashi, nuk ka lënë as 1 copë letër për shenjë.

Saktësojmë, se në çdo proces zgjedhor, sipas ligjit prodhohen 10% Fletë-Votimi më tepër, si masë sigurie për çdo situatë të papritur; ndërsa më 14 maj, këto janë zhdukur krejt pa pritur.

SPAK duhet ta hetojë këtë skandal, që sipas ligjit quhet “Krim zgjedhor”, me përgjegjës të vetëm kryetarin e KQZ, Ilirjan Celibashin, i cili më 14 maj bëri edhe masakër elektronike, për shkak të batërdisë korruptive me tenderët./Pamfleti

marifeti ilirjan celibashi 360 mijë fletë-votimi

Lini një Përgjigje