
“Ne nuk e duam minierën. Nuk e duam këtë lloj ‘zhvillimi’ kolonialist. Është poshtëruese të flitet në këtë mënyrë. Vetëm sepse jemi fshatarë, kjo nuk do të thotë se jemi budallenj”
Në fillim të majit 2019, Momçilo Alimpiç po kryente punët e zakonshme në tokën e familjes së tij në Radevina, një fshat në kodrat e Jadarit në Serbisë Veriperëndimore. Atë pasdite, ai u befasua nga një zhurmë e pazakontë aty pranë.
Ndoqi zhurmën, dhe në një moment pa një grup burrash që po ecnin në tokën e tij. Ata e takuan dhe i thanë se ishin studiues që punonin për gjigantin anglo-australian të minierave Rio Tinto. Po ashtu, shtuan se toka e familjes së tij ndodhej në periferi të një zone shumë të pasur me litium, metali shumë i lakmuar që gjendet në bateritë e telefonave dhe laptopëve, dhe që më e rëndësishmja është çelësi i tranzicionit global drejt energjisë së pastër.
“Deri atëherë, ne nuk kishim asnjë ide për këtë gjë. Kompania nuk kishte kontaktuar me ne dhe askënd tjetër në zonë”- më tha vajza e Alimpiç, Marija, e cila punon si mësuese e gjuhës, kur e takova atë dhe babanë e saj për kafe në vjeshtën e vitit 2024 në një hotel në Loznicë, qyteti më i afërt në komunitetin e tyre të qetë rural.
Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, teksa studiuesit po bënin gjithnjë e më shumë pyetje, e vërteta u zbulua gradualisht. Rio Tinto kishte studiuar në heshtje mundësinë e hapjes së një miniere, me një investim prej 2.4 miliardë dollarësh, e cila me përfundimin e saj të parashikuar për vitin 2027, do të ishte më e madhja në Evropë.
Por që nga ditët e para kur u kuptua e vërteta, kundërshtimi i banorëve të zonës ka qenë i ashpër dhe i koordinuar mirë me fushatat e zgjuara mediatike dhe protestat masive, të cilat janë bërë një tipar gjithnjë e më i zakonshëm. “Ne u thamë se nuk e duam këtë minierë në fshatin tonë”- deklaroi Marija. Toka e familjes së saj, është përzgjedhur si vend i caktuar për të hedhur mbeturinat e prodhuara nga projekti. Mbetjet kimike dhe ndotja do ta shkatërronin tokën e tyre të punueshme. “Kur u thamë se do të ndalnim projektin e Rio Tintos, njerëzit menduan se ishim të çmendur. Por ne kemi vazhduar të rezistojmë”- shtoi ajo. Në fillim të vitit 2004, një grup gjeologësh që punonin në Jadar, zbuluan një mineral të ri me formulën kimike natrium-litium-borosilikat-hidroksid, i cili së shpejti u pagëzua me emrin Jadarite.
Lajmi u harrua shpejt, por jo nga Rio Tinto. Minerali i sapozbuluar përmbante litium dhe bor, një tjetër lëndë e parë shumë e vlefshme, e cila përdoret në të gjitha llojet e prodhimit industrial në të gjithë globin. Procesi i nxjerrjes së tyre, kërkon shumë energji, përfshirë edhe sasi të mëdha të acidit sulfurik.
Por problemi është se zona e propozuar për ndërtimin e minierës dhe disa kilometra katrorë që do të shërbejnë si vend depozitimi për mbeturinat, shtrihet tek disa nga tokat më të punueshme të Serbisë, si dhe pranë njërit prej lumenjve të saj kryesorë që furnizon me ujë vendin.
Ekspertët kanë ngritur alarmin mbi katastrofën që do të shkaktohej: të korrat do të preken rëndë dhe nga lumenjtë do të rrjedhin sasi të madha kimikatesh toksike industriale. Një studim i vitit 2024 - i kritikuar publikisht nga Rio Tinto - nga një grup shkencëtarësh serbë vuri, në dukje se vetëm shpimet eksploruese e kishin “rritur ndjeshëm përqendrimet e rrjedhës së poshtme të borit, arsenikut dhe litiumit në lumenjtë e afërt, në krahasim me rrjedhën e sipërme të tyre”.
Evropa ka shumë nevojë për litium. Dikur ky metal ishte më i njohur për përdorimet e tij në psikiatri, kryesisht si një trajtim për çrregullimin bipolar. Por dekadën e fundit, ai është cilësuar si një pjesë thelbësore e tranzicionit global nga lëndët djegëse fosile, në një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.
BE-ja parashikon një rritje me 60 herë të kërkesës për litium deri në vitin 2050. Por përtej Evropës, litiumi serb është një çështje me rëndësi gjeopolitike globale. Në vitin 2022, qeveria serbe anuloi lejet e minierave të Rio Tintos pas disa muajsh protestash masive që shpërthyen në të gjithë vendin.
Por në korrik 2024, leja u rikthye pas një vendimi të gjykatës në Beograd, i shoqëruar nga një samit ku morën pjesë kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe nënkryetari i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër, Maros Sefçoviç.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u zotua për transparencë të plotë dhe premtoi “të luftonte personalisht për mjedisin dhe jetën e qytetarëve në Jadar”. Reagimi ishte i menjëhershëm. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Beogradit, duke përfshirë artistë, studentë dhe fermerë.
“Gjithçka është e ndërlidhur. Çdo person që merr pjesë në këto protesta është edhe kundër regjimit. Është kanalizimi i dy gjërave njëkohësisht. Ata po protestojnë kundër regjimit në përgjithësi, por edhe minierave në veçanti”- tha Stevan Filipović, regjisor dhe kundërshtar i zëshëm i Vuçiç.
Mediat perëndimore e portretizojnë shpesh Serbinë nën Vuçiç si një shtet vasal të Rusisë, por realiteti është më kompleks. Vuçiç - një nacionalist i djathtë dhe një veteran në politikë, pasi ka mbajtur poste të larta që në kohën e Slobodan Millosheviç në vitet 1990 - e ka dominuar politikën serbe që nga viti 2012.
Korrupsioni është shumë i përhapur, dhe media vendase anon kryesisht ndaj tij. Lidhjet e thella midis qeverisë dhe krimit të organizuar janë shumë të konsoliduara. Politikani dhe sociologu hungarez Bálint Magyar, e ka etiketuar Serbinë një “shtet mafioz postkomunist”, së bashku me vendin e tij të lindjes dhe disa të tjerë në rajon.
Hapja e Serbisë ndaj investimeve të huaja - kineze, ruse, perëndimore - po shoqërohet me zhdukjen e çdo lloj mbrojtjeje dhe një klasë të mesme në kolaps. Nëse kapitali ndërkombëtar e shikon gjithnjë e më shumë Serbinë si një tokë mundësish, qytetarët e zakonshëm nuk i kanë ndjerë ende përfitimet.
Po kush do të përfitonte më shumë nga projekti serb i Rio Tintos? Natyrisht Rio Tinto. Edhe industria gjermane e makinave, do të ishte e garantuar. Ndërkaq do të kishte përfitime të dukshme politike për BE-në, e cila mund ta cilësojnë minierën e Jadar si dëshmi e dukshme e angazhimit të saj për t’i dhënë fund varësisë ekzistuese nga litiumi që ble aktualisht nga Kina.
Projekti do të sillte përfitime edhe për elemente të elitës politike të Serbisë. Ajo që nuk është e qartë është se çfarë dobie do të bënte projekti për popullsinë e vendit në përgjithësi. “Ne nuk e duam minierën. Nuk e duam këtë lloj ‘zhvillimi’ kolonialist. Është poshtëruese të flitet në këtë mënyrë. Vetëm sepse jemi fshatarë, kjo nuk do të thotë se jemi budallenj”- thekson Maria./Përshtati Pamfleti nga “New Statesman”
Lini një Përgjigje