Kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh sot se dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ka bërë dy viti burg politik.
"Jamarbër Malltezi ka bërë 2 vite i burgosur politik në shtëpi. Në mënyrë absolute, pa shkelur asnjë ligj, rregull e standard të këtij shteti.
I vetmi njeri që ka shkelur ligjin është Edi Rama nga qindra punonjës që kanë firmën në atë proces, njeriu i vetëm që është shkelës i ligjit", tha Berisha.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për dosjen e shumëpërfolur të privatizimit të ish-kompleksit Partizani në kryeqytet.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha.
Kujtojmë se dosja për aferën Partizani, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë fjalës së tij pas daljes nga ambientet e GJKKO, Malltezi e cilësoi procesin ndaj tij dhe Berishës si të montuar politikisht, me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Ai tha gjithashtu se menjëherë pas urdhrit të Ramës, SPAK ka hetuar 5 breza të tij. Kjo pasi sipas Malltezit, në hetime gjeti edhe firmën e stërgjyshit të tij 90 vite më parë.
“Kemi të bëjmë me një proces politik, që gjatë rrugës u ndot akoma më tej. Sapo Edi Rama urdhëroi SPAK që të hetonte Sali Berishën, SPAK kërceu. Ja ku i keni 16 kërkesa brenda muajit. Më gjeni një rast në Shqipëri që janë hetuar 5 breza, jo një brez.
E kanë filluar që me stërgjyshin tim para 90 vitesh. Unë aty kam gjetur firmën e stërgjyshit tim, që i ka thënë italianëve ‘jo, shkoni në punën tuaj, s’keni punë me pronën tonë’.
Kemi një proces me urdhër politik, por edhe të ndotur, sepse u gjet gjyqtarja Irena Gjoka, që nuk përmbushte kushtet për të qenë gjyqtare”, tha mes të tjarash Malltezi.
Lini një Përgjigje