TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2025, 22:52

lir Alimehmeti i përgjigjet Agron Shehajt: Florjan Binaj kandidaturë qytetare, e ndershme dhe përbashkuese për opozitën

Shkruar nga Pamfleti

lir Alimehmeti i përgjigjet Agron Shehajt: Florjan Binaj kandidaturë

Pas kritikave të Agron Shehajt për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit opozitar në Tiranë, Ilir Alimehmeti ka reaguar publikisht, duke i bërë thirrje deputetit dhe lëvizjes së tij “Partia Mundësia” të bashkohen me grupin opozitar në mbështetje të Florjan Binajt, kandidatit të mbështetur nga Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje.

Në reagimin e tij, Alimehmeti sqaron se procesi i përzgjedhjes së kandidaturës është zhvilluar në mënyrë transparente dhe të hapur, duke përfshirë të gjitha forcat opozitare. Ai kujton se vetë Shehaj kishte kërkuar një kandidat jopartiak, dhe kjo kërkesë është respektuar në mënyrë të plotë.

“Partia Demokratike ka respektuar çdonjë prej parimeve përzgjedhëse të kandidaturave të dakorduara me forcat aleate, madje ka pranuar edhe pikën e kandidaturës jopartiake të kërkuar nga z. Shehaj publikisht”, thekson Alimehmeti.

Nënkryetari i PD shpjegon se pas komunikimit zyrtar, z. Florjan Binaj është paraqitur si kandidaturë që plotëson të gjitha kriteret dhe ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët opozitarë. Ai thekson se grupi negociator ka kërkuar takime edhe me Partinë Mundësia, por “nuk ka marrë asnjë përgjigje nga strukturat drejtuese të saj”.

Në reagim, Alimehmeti përshkruan Binajn si një figurë qytetare me integritet të lartë, të njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj padrejtësive dhe për guximin për t’u distancuar nga projektet që bien ndesh me parimet morale.

Postimi i plotë

Drejtuar të nderuarve qytetarë dhe z. Shehaj:

1. Partia Demokratike ka qenë krejtësisht e hapur dhe ka respektuar çdonjë prej parimeve përzgjedhëse të kandidaturave që u diskutuan me forcat aleate dhe opozitare, madje ka pranuar edhe pikën e kandidaturës jopartiake të kërkuar nga vetë z. Shehaj publikisht.

2. Gjatë komunikimit të sotshëm zyrtar të Partisë Demokratike, z. Florjan Binaj u paraqit si kandidaturë që plotëson çdo parim bashkarisht të pranuar nga të gjitha forcat aleate.

Grupi negociator menjëherë kërkoi takimet me të gjitha forcat opozitare, përfshirë Partinë Mundësia, për diskutimin mbi kandidaturën e z. Binaj, por këto kërkesa u takuan me mospërgjigjen nga strukturat e drejtuese të Mundësisë.

3. Z. Florjan Binaj është një kandidaturë e shkëlqyer qytetare, zë kritik dhe i guximshëm i shoqërisë. Në vitet e fundit, ai është shquar për qëndrimet e tij publike kundër padrejtësive sociale dhe politike.

Ka pasur raste kur ai është distancuar nga projekte të mëdha për shkak të bindjeve të tij morale, gjest ky që kërkon integritet dhe guxim.Z. Florjan Binaj gëzon respekt të fituar me punë dhe dinjitet. Nuk është një figurë që ka ndërtuar famën mbi skandale apo promovim të panevojshëm, por është bërë i njohur dhe i respektuar falë talentit, punës së palodhur dhe sjelljes së tij etike dhe profesionale.

Pavarësisht suksesit, Florjan Binaj ka ruajtur thjeshtësinë dhe është perceptuar gjithmonë si “njeriu i zakonshëm” që nuk harron prej nga ka ardhur, karakteristike e një familjari të devotshëm dhe e një qytetari model.

E ftojmë z. Shehaj dhe Partinë Mundësia të bashkojë forcat e saj me grupin opozitar në mbështetje të kandidaturës së z. Binaj për t’i ndërruar faqen Tiranës dhe për të ndryshuar modelin e abuzimit dhe arrogancës së treguar ndaj saj nga kandidatët për qeli të pushtetarëve.

Besojmë se z. Shehaj ka mundësinë e pakundërshtueshme të tregojë hapur qëndrimin e tij opozitar në mbështetje qytetare ndaj kandidaturës plot vlera të z. Florjan Binaj për Kryetar të Bashkisë së Tiranës!

Lini një Përgjigje