
Ish kryeministri Sali Berisha ka folur për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së zhvilluar me Gazment Bardhin dhe deputetët e opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se do t'i përgjigjen dhëmb për dhëmb përpjekjeve të Ramës për vazhdimin e mohimit të të drejtave të deputetëve opozitarë në Kuvend. Më tej, ish kryeministri u ka bërë thirrje deputetëve të PS që të ‘mos i provokojnë’ teksa opozita proteston në Kuvend.
Sa i takon përplasjes fizike mes deputetit Bledion Nallbati dhe atij socialist Vullnet Sina, Berisha thotë se fajin e kishte Sina pasi u përpoq të ndërpriste protestën e opozitës.
“Diskutuam si t’i përgjigjemi dhëmb për dhëmb përpjekjeve të Ramës për vazhdimin e mohimit të të drejtave të deputetëve në Kuvend. Dënoj çdo provokim që bëhet në kohën që ne jemi në protestë në Kuvend, u kërkoj deputetëve të PS në Kuvend që të mos marrin rolin e provokatorit. Respektoni protestën. Mos ndodhë si dje, që ne protestonim dhe ata zhurmonin. Ka një seancë në datën 2 dhe më pas në 22. Ne vazhdojmë betejën. Dhunën e filloj ai tjetri i cili për të prish protestën tonë iu nënshtrua kryetares që e mbyti me gardistë parlamentin. Zoti Sina nuk mund ta merret fjalën kur opozita ishte në protestë. Dje nuk pati dhunë se unë isha aty, nuk e goditi.”, tha Berisha.
Ish kryeministri ka komentuar gjithashtu edhe përjashtimin e 7 deputetëve nga Kuvendi.
"Vendim i urdhëruar nga Rama, do marrë përgjigje çdo vendim i tyre që nuk përfill protestën e drejtë të deputetëve. Ju ftoj të jeni aty në 15:30. Ne do të protestojmë vetë", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje