
Ekspozimi i luksit dhe shpenzimeve ka vënë në alarm kryeministrin Edi Rama. Sot ai ishte i ftuar në një emision dhe nuk la gjë pa thënë për gazetarët dhe mediat që i kanë vënë në pah pasurinë. Ai i cilësoi ata si sharlatanë, teksa riktheu deklaratën e dikurshme se nuk “nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd”.
Rama doli nga binarët kur u pyet në Opinion se Kryemadhi e cilësoi atë si Peshkun e Madh.
“Po te unë për çfarë?! Për cilat çështje? Unë jam peshku më i madh nga të gjithë se jam dy metra. Po problem nuk është sa metra është peshku, por cilido ka futur duart në pasuritë e përbashkëta dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Dhe unë nga këto nuk kam. Jam informuar që i vogël se kur shkon në anën tjetër, je lakuriq përballë atij që të del atje. Nuk të duhet as cashi, as pasuria. Ndërkohë që mbrapa lë emrin. Unë luftoj për emrin. Këta sharlatanë që flasin për luksin tim, sarajet e mia…Unë s’kam vetëm shpjegime, unë kam fakte dhe kam letra...
Zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në halle të mëdha nuk debatoj. Unë nuk kam asnjë hall të kësaj natyre. E kam thënë dikur, kam qen më i ri, nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd. Kjo është një histori qensh, lehje qensh. Dykëmbësorë që kanë marr rolin e qenit në mjedisin e qenit dhe që lehin nga të katërta anët dhe bëjnë çorbë gjithë dynjanë”, tha ai.
I pyetur për arrestimet në krahun e socialistëve, kryeministri Edi Rama përsëriti sonte në “Opinion” se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për këdo që shkel ligjin dhe vjedh pasuritë e përbashkëta. Ai tha se reforma në drejtësi që u udhëhoq nga Partia Socialiste po jep “frytet” e saj si asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi.
“Përgjegjësia morale e imja është vetëm një, të bëj gjithçka kam në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Pushteti politik të tërhiqet nga çdo drejtim me drejtësinë. Ka një fakt, që është shumë kokëfortë që nga viti 1912 kur është ngritur flamuri. Deri kur reforma në drejtësi, që e udhëhoqëm ne Partia Socialiste, jo edhe LSI-ja. Erdhi pastaj mbrapa për arsye që i kemi diskutuar. E udhëhoqëm ne, e futëm ne në program në vitin 2013. Që kur ka filluar të zbatohet, persona të lidhur me pushtetin politik janë të marrë nën hetim, ka të akuzuar, prapa hekurave. Nuk ka ndodhur kjo ndonjëherë!”, tha ai.
Për Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion u shpreh se po “godet” kudo pa asnjë lloj dallimi politik.
“Kemi krijuar një mitraloz të pavarur që godet majtas, djathtas, afër meje, larg meje…”, tha Rama.
Lini një Përgjigje