TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Tetor 2025, 07:34

Krerët e drejtësisë raportojnë sot në Kuvend, Altin Dumani përballë Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Krerët e drejtësisë raportojnë sot në Kuvend, Altin
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ditën e sotme do të mbajë  një seancë ku do të dëgjohen raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë dhe atyre të pavarura.

Në seancë do të marrë pjesë edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e institucionit që ai drejton.

Kjo pritet të jetë edhe përballja e parë në sallën e Kuvendit mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe drejtuesit të SPAK-ut.

PD ka njoftuar se deputetët e saj do t’i parashtrojnë vetë pyetjet për drejtuesit e institucioneve, sipas rregullores, duke kundërshtuar mënyrën e seancës së kaluar kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk lejoi leximin e pyetjeve në sallë.

I pranishëm nuk do të jetë Gazment Bardhi pasi u përjashtua për dy javë për shkak të përplasjes në seancën e kaluar me kreun e Kuvendit, Niko Peleshi. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i ka dërguar edhe një shkresë Peleshit, ku i kërkonte të shmangë të gjitha provokimet ndaj deputetëve.

‘Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës.’, thuhet në letrën e grupit të PD.

Sot pritet të raportojnë gjithashtu Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në rend dite është edhe votimi për ngritjen e komisioneve të reformës territoriale dhe zgjedhore, ku është arritur marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për barazi anëtarësh në përbërje.

Ende nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama.

kuvend krerët e drejtësisë

Lini një Përgjigje