
Komisioni i Ankesave ka dërguar sërish topin në fushën e Celibashit duke paralajmëruar një përplasje të ashpër. Grupi i Alibeajt e ka bërë të qartë se Basha nuk ka për të firmosur...
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka vendosur të mos pranojë ankimimet e grupimit Alibeaj dhe “Rithemelimit” për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.
Anëtarët e KAS pretendojnë se kjo strukturë nuk mund të shqyrtojë këto dy kërkesa pa pasur një vendim përfundimtar të Kryekomisionerit.
"“Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është për nga natyra e tij vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”, shprehet KAS në vendimin për Alibeajn.
Celibashi u ka kërkuar demokratëve të Alibeaj që të sjellin dokumente shtesë për regjistrimin e PD në vendore, me argumentin që duhet të ketë një deklaratë përgjegjësie nga kryetari Lulzim Basha. Grupi i Alibeajt nuk e pranon një gjë të tillë, me argumentin se Basha është dorëhequr dhe i ka deleguar kompetencat. Ndërkohë Berisha pretendon se është ai kryetari, ndonëse në gjykatë nuk figuron fare. Por si duket Komisioni i Ankesave e ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke e kthyer sërish në dorë të Celibashit. Kryekomisioneri i la 48 orë afat grupit të Alibeajt të sjellin shkresën e firmosur nga Basha dhe tani që KAS e ktheu ankimin, situata komplikohet.
Vetë Celibashi duket se po dërgon ujë te mulliri i Berishës. Ky i fundit kërkon të futet në zgjedhje nga dritarja, duke përdorur partitë aleate. Ndërkohë Celibashi ka kërcënuar se nuk do të pranojë të regjistrojë PD nëse Basha nuk sjell dokumentin që autorizon Indrit Sefën që të ndjekë çështjet ligjore në KQZ. Tani topi shkoi sërish në fushën e Celibashit dhe mbetet të shihet se cila do të jetë vendimmarrja.
Pak ditë më parë Gazmet Bardhi ja bëri të qartë Celibashit se nuk do të ketë plotësim dokumentesh. Tani mbetet të shihet se çfarë rrjedhe do të marrin ngjarjet.
“Pres që vendimin, Komisioneri ta kthejë në vendim ligjor. Ende nuk ka publikuar dhe arsyetuar vendimin që bëri publik. Patjetër do ta ankimojmë. Duhet të publikohet sepse ka një afat ligji. Me sa më thanë, akoma nuk i ka gjetur arsyet për të argumentuar atë vendim politik që ka marrë. Dokumentacioni që ka dorëzuar PD është i plotë dhe shterues. Nuk do të ketë asnjë dokument shtesë nga PD. Ne nuk plotësojmë tekat e Celibashit por zbatojmë ligjin dhe kemi çuar dokumentacionin që kërkon ligji”, deklaroi Bardhi.
Tani pritet që Komisioneri të njoftojë mbledhjen e radhës ku dhe me shumë mundësi do të përcaktohet fati i PD për zgjedhjet e 14 majit./Pamfleti
Lini një Përgjigje